Karli i Tretë i bëri homazhe të ëmës në një ceremoni në parlament ku  monarku i ri dëgjoi ngushëllimet zyrtare nga Kryetarët e Dhomës së Komunëve e asaj të Lordëve, duke nxjerrë edhe një herë më shumë në pah natyrën e ndërthurur të familjes mbretërore dhe qeverisë në kushtetutën e Mbretërisë së Bashkuar.

Në fjalën e mbajtur në strukturën e shekullit të 11-të të Westminster Hall, e që mori shpeshherë tonë personale, Karli  falënderoi kryeparlamentarët për fjalimet e tyre të ndjera e duke cituar Shekspirin, theksoi se “nëna e tij e dashur, mbretëresha, kishte qenë “një model për të gjithë princat që jetonin”. Monarku i shoqëruar nga e shoqja, Camilla, u tha ligjvënësve në sallë se ishte “i vendosur të ndiqte me besnikëri” shembullin e të ëmës”.

“Ne mblidhemi sot në kujtim të shërbimit të jashtëzakonshëm e të përkushtuar të Mbretëreshës ndaj kombit dhe popullit të saj. Që në moshë të re, ajo u zotua t`i shërbente vendit të vet dhe të mbronte parimet e çmuara të qeverisjes kushtetuese, të cilat qëndrojnë në zemër të kombit tonë. Këtë zotim e përmbushi me devotshmëri të pashoqe. Ajo la pas shembullin e kryerjes së detyrës me vetëmohim, gjë të cilën, me ndihmën e Zotit dhe këshillat tuaja, rrugë të cilën jam i vendosur ta ndjek dhe unë me besnikëri”, tha Mbreti Karl.

“Nuk mund të mos ndiej peshën e historisë që na rrethon dhe na kujton traditat jetike parlamentare, të cilave deputetët dhe kolegët i përkushtohen. Parlamenti është instrumenti i frymëmarrës i demokracisë sonë. Lidhjet me “nënën time të dashur të ndjerë shihen kudo rreth nesh”,  shtoi më tej monarku britanik.

Karli i III u shpall zyrtarisht Mbreti i Mbretërisë së Bashkuar të shtunën me fanfara dhe ceremoni nga ballkoni i Pallatit Buckingham. Për këtë u mblodh posaçërisht në Londër Këshilli i Aderimit, ku bëhej fjalë për një akt formal.

Top Channel