“Ju dhe gjyshi jeni bashkuar në paqe”! Fjalët e ndjera të Princit Harry për Mbretëreshën: Faleminderit për çdo shërbim

12/09/2022 17:14

Princi Harry ka kujtuar gjyshen e tij, Mbretëreshën Elizabeth, përmes një deklarate të bërë publike për mediet.

Duka i Sussex shkruan se “në përkujtim të gjyshes sime, Madhërisë së saj, në vajtim për humbjen e saj, të gjithëve na kujtohet se si Mbretëresha ishte një busull orientuese për ne, me përkushtimin që i bënte detyrës. Ajo ishte e admiruar dhe e respektuar në mbarë botën. Dinjiteti i saj mbeti i vërtetë gjatë gjithë jetës së saj.

Le t’i bëjmë jehonë fjalëve që Mbretëresha tha pas vdekjes së bashkëshortit të saj, Princit Philip , fjalë që mund të na sjellin ngushëllim të gjithëve tani: Jeta, përbëhet nga ndarjet përfundimtare, si dhe takimet e para”.

Princi Harry kujton fëmijërinë e tij me gjyshen, deri te momentet kur Mbretëresha takoi për herë të parë fëmijët e Harryt dhe Meghan Markle, Archie Harrison dhe Lilibet Diana.

Kështjella Windsor është një vend i vetmuar pa mbretëreshën Elizabeth, thotë Harry.

“Ndërsa kjo ndarje përfundimtare na sjell një pikëllim të madh, unë jam përgjithmonë mirënjohës për të gjitha takimet tona të para, që nga kujtimet e mia më të hershme të fëmijërisë me ty, te takimi me ju kur u emërova për herë të parë Komandanti im i Përgjithshëm, deri në momentin kur takuat gruan time të dashur dhe përqafuat stërnipërit tuaj… Dhe ndërsa bëhet fjalë për takimet e para, ne tani e nderojmë babanë tim në rolin e ri si Mbreti Karli III”.

Harry shton se tashmë Mbretëresha është bashkuar me burrin e saj, Princin Philip.

“Faleminderit për këshillat. Faleminderit për buzëqeshjen tuaj ngjitëse. Edhe ne buzëqeshim duke ditur që ju dhe gjyshi jeni ribashkuar tani dhe jeni të dy së ​​bashku në paqe”.

Vdekja e Mbretëreshës erdhi menjëherë pas vdekjes së bashkëshortit të saj, Princit Phillip , Duka i Edinburgut, i cili vdiq në moshën 99-vjeçare në prill të 2021. Ata qëndruan të martuar për 73 vjet.

FOTO GALERI
1/7
Princi Harry dhe Princi William me Mbretëreshën Elizabeth

Top Channel