Mes emocioneve dhe entuziazmit të nxënësve, mësuesve dhe prindërve ka nisur viti i ri shkollor edhe në Durrës, ku mësimi me turne mbetet ende një sfidë.

“Çdo vit ka emocionet e veta. I uroj të gjithë nxënësve dhe kolegëve të mi në Durrës e kudo në Shqipëri suksese dhe vit të mbarë shkollor. Shkolla është me kushte shumë të mira. Çdo gjë e rregullt dhe klasat janë përgatitur që nxënësit të ndjehen mirë.”

“I uroj fëmijëve suksese dhe si prindër ndjehemi me ato kënaqësitë tona, me sfidat që na presin përpara e që presim t’i kalojmë bashkë me fëmijët tanë.”

Për të tretin vit radhazi disa mijëra nxënës do ta zhvillojnë mësimin në turnin e pasdites pasi ende një pjesë e shkollave të dëmtuara nga tërmeti janë të shembura dhe disa në proces rindërtimi. Të tjera që janë rindërtuar i kanë hapur dyert për nxënësit e mësuesit e tyre.

Rreth 29 mijë nxënës nisin shkollën në arsimin parauniversitar, ndërsa 1515 nxënës ulen për herë të parë në bankat e shkollës. Amarilda Thërrmija, drejtore e ZVA Durrës siguron se pavarësisht vështirësive, cilësia e mësimdhënies nuk do të cenohet, ndërsa do të vijojnë dhe këtë vit, edhe pse më të lehtësuara protokollet anti-Covid.

“Durrësi ka një specifikë të veçantë pasi vijmë nga 3 vite dëmtime nga tërmeti. Megjithatë kemi 14 shkolla të rindërtuara dhe 12 të tjera në proces rindërtimi. Kemi marrë të gjitha masat në mënyrë që të mos cenohet mbarëvajtja e procesit mësimor”, Amarilda Thërrmija, drejtore e ZVA Durrës.

Për nxënësit që janë në zona të largëta është mundësuar transporti me autobuzë në shkollat pritëse, ndërsa edhe këtë vit të ri shkollor vijon të jetë i pranishëm fenomeni i uljes së numrit të nxënësve. Sipas specialistëve të arsimit janë disa faktorë që kanë ndikuar në këtë ulje që është më e lartë në arsimin e mesëm se atë 9-vjeçar.

Jo vetëm emigrimi, por edhe faktorë që lidhen me planifikimin familjar kanë krijuar një tendencë për një numër më të reduktuar të nxënësve në institucionet arsimore.

Top Channel