Ditë zie dhe bust Mbretëreshës Elisabeth II në Has, kryebashkiaku: Paratë do dalin vetëm nga emigrantët

12/09/2022 14:39

Shumë shpejt në Has do të ngrihet një bust në nder të monarkes së ndjerë Elisabeth II, vendim i marrë nga emigrantët hasjanë të cilët jetojnë atje prej vitesh.

Në një lidhje direkte për “Shqipëria Live” ishte kryebashkiaku i Hasit, Liman Morina tha se familjet hasjane janë mirënjohëse ndaj Mbretëreshës, pasi mbi 80% e familjeve mbështeten financiarisht nga fëmijët e tyre emigrant në Angli.

Ai tha se busti do të behet në shenjë mirënjohje për pasaportat që shqiptarët kanë marrë atje dhe për mirëqenien që kanë sjellë të ardhurat e tyre në Has.

“Mbi 80% e familjeve në has mbështet nga fëmijët e tyre në Angli. Është dëshirë e emigrantëve dhe njerëzve që jetojnë sot në Has. Shprehin mirënjohjen më të madhe sepse Anglia është atdheu I dytë për hasjanët që jetojnë në Londër dhe kanë marrë pasaporta atje. Është dëshirë e zjarrtë e tyre që të vendoset busti i mbretëreshës”- tha Morina.

Ai shtoi se paratë për ngritjen e bustit nuk do të dalin nga buxheti i bashkisë, por nga të ardhurat e emigrantëve.

“Paratë do dalin vetëm nga emigrantët, asgjë nga buxheti i shtetit dhe i  bashkisë”- tha kryebashiaku.

Ai shtoi se Hasi do të shpallë një ditë zie, në ditën e varrimit të Mbretëreshës.

“Falë atij vendi, jemi njerëz më të lumtur që kemi bërë investime dhe ndihemi krenar për të gjithë ata që punojnë atje, pavarësisht se për çfarë i akuzojnë atje. Jemi mirënjohës ndaj punës së tyre. Megjithëse po përdor një shprehje “pyll pa derra nuk ka”.Në ditën e varrimit të mbretëreshës shpallet ditë zie në Has, për ne hasjanët është vendosur”- përfundoi kryebashkiaku.

Top Channel