Postimi i ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka reaguar për lajmin e dhënë nga Top Channel se sistemi TIMS nuk është kthyer plotësisht në funksion dhe se në Rinas pasaportat fotografohen.

Ai tha se gazetarja e Top Channel  gënjen publikun, ndërkohë që në kurriz të saj, sipas Çuçit, njerëzit përdorin e-gate.

Por deklarata e zotit Çuçi, bazohet mbi një fakt të rremë. Top Channel ashtu si çdo media, nuk ka akses në zonën e sigurt të Rinasit, pas kontrollit të sigurisë, aty ku gjenden portat elektronike të pasaportave. Ato gjenden në katin e dytë.

Gazetarja Dorjana Bezat në lidhjen e saj në edicionin e orës 15:00, ndodhej në katin e parë, në zonën e check in dhe portat virtuale që shihni më pas, nuk janë për pasaportat, por për kartat e imbarkimit.

Kartat e imbarkimit nuk kanë lidhje me sistemin TIMS, por me aeroportin e Rinasit dhe kompanitë ajrore. Top Channel nuk ka thënë që ka probleme aeroporti. Përkundrazi, aeroporti funksionon shumë mirë.

Vërtetësinë e këtyre fjalëve mund ta vërtetojnë të gjithë ata që udhëtojnë dhe që e dinë se në katin e parë, janë vetëm portat elektronike të kartave të imbarkimit dhe në katin e dytë ato të pasaportave. Por ndryshe nga zoti Çuçi, ne nuk mendojmë se ai gënjen. Thjesht ka bërë një gabim të vogël.

Top Channel