Agjencia shtetërore, Enerhoatom, ka bërë të ditur se janë ndalur të gjitha operacionet në centralin bërthamor në Zaporizhja të Ukrainës, si masë sigurie.

Ky central bërthamor është më i madhi në Evropë. Rusia e ka marrë kontrollin e tij pak pas nisjes së luftës në Ukrainë, në fund të muajit shkurt.

Sipas agjencisë Enerhoatom, përgjegjëse për mirëmbajtje të centralit, reaktori i vetëm që ka qenë në funksion është ndalur më 11 shtator, dhe se është duke u punuar për ftohjen e tij.

Më 7 shtator, autoritetet ukrainase u kanë bërë thirrje banorëve në zonat rreth centralit që të evakuohen për sigurinë e tyre.

Luftimet mes forcave ruse dhe atyre ukrainasve rreth centralit kanë rritur shqetësimet për ndonjë katastrofë të mundshme bërthamore.

Rusia e ka akuzuar Ukrainën se po tenton të rimarrë centralin me forcë, akuza që janë hedhur poshtë nga Kievi.

Ukraina dhe Perëndimi akuzojnë Rusinë se po dërgon armë të rënda afër centralit, duke e ditur se ushtria ukrainase nuk do ta sulmojë.

Moska ka kundërshtuar këto pretendime, mirëpo u ka rezistuar thirrje për të çmilitarizuar këtë zonë, ashtu që të shmanget ndonjë katastrofë ambientale.

Enerhoatom ka thënë më 11 shtator se ka rikthyer linjën e energjisë që është dëmtuar nga sulmet ruse, dhe tani centrali furnizohet me energji nga sistemi ukrainas.

Prandaj është marrë vendimi për ndalje të njësitit të gjashtë dhe ftohjes së tij”, ka thënë agjencia.

Enerhoatom ka thënë po ashtu se rreziku për dëme tjera “vazhdon të jetë i lartë”.

Një ditë më parë, më 10 shtator, Agjencia Ndërkombëtare për Energji Atomike, e cila ka vëzhgues të saj brenda centralit, ka thënë se situata në objekt është “tejet jostabile”.

“Kjo është situatë e paqëndrueshme dhe është duke u kthyer në rrezik”, ka thënë shefi i agjencisë Rafael Grossi në Vjenë.

Ai ka bërë thirrje për dhënie fund të armiqësive dhe krijimit të një zone çmilitarizuese afër centralit, për të shmangur katastrofën bërthamore.

Ndërkohë, Petro Kotin, udhëheqës i agjencisë Enerhoatom, i ka thënë agjencisë së lajmeve AFP më 10 shtator se forcat ruse e kanë torturuar stafin në centralin në Zaporizhja dhe se të paktën dy punëtorë kanë vdekur.

Dy persona janë rrahur për vdekje. Ne nuk e dimë ku janë dhjetë njerëz tjerë, ata janë rrahuar nga rusët dhe tani nuk kemi informacione për vendndodhjen e tyre”, ka thënë ai.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt. Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Top Channel