Shiu shkakton kaos në Shkodër/ Kafshë të ngordhura, banesa nën ujë dhe dëme të konsiderueshme në bujqësi

10/09/2022 10:15

Reshjet e dendura të shitur kanë shkaktuar probleme në zonën e Bleranit të Bardhajve në Bashkinë Shkodër.

Mos-pastrimi i 2 kanaleve ka sjellë dëme të shumta në banesat e 30 familjeve të kësaj zone.

Kafshë të ngordhura, banesa nën ujë dhe dëme të konsiderueshme në tokat bujqësore.

Banorët hedhin akuza ndaj shtetit për mungesë ndërhyrje dhe ndihen të pasigurtë në banesat e tyre.

“Ka ardhur stuhia, shiheni vetë situatën. Çfarë kam pasur brenda në shtëpi, të tëra mi ka bërë dëm. Më ka bërë shumë dëm, të gjitha. Që 30 vet janë pa pastruar kanalet. Kam marrë policinë në telefon më ka thënë ska punonjës. 1 metër e gjysmë ka qenë uji dhe policia tha s’mundemi me ardh. Edhe makinën ma ka spostuar. Apeloj që të pastrohen kanalet, shiheni vet se çfarë është bërë këtu”- shprehet një nga banorët e Shkodrës.

“Dy makina, shtëpia, e të gjitha i ka prishur shiu. Shteti ka fajin që nuk ka pastruar kanalet. Çdo gjë na ka shkuar dëm. Të gjithë kanë pasur dëme. Jemi 30 familja këtu dhe kjo situatë është e përsëritur, por jo kaq shumë. Duhet të na pastrohen këto kanale, mos të rrinë duarkryq. Vetëm për votat vijnë”- shprehet një tjetër banor i prekur.

Edhe Pedonalja e Shkodrës, mbrëmjen e djeshme i ka ngjarë një lumi të rrëmbyeshëm për shkak të mos funksionimit dhe mos përballimit të reshjeve nga kanalizimet.

Stuhia e shiut ishte lokale në Shkodër dhe disa zona të veriut ndërsa moti këtë të shtunë është përmirësuar.

FOTO GALERI
1/13

Top Channel