Rritet numri i kalimeve në dalje të pikës kufitare të Muriqanit, radhë të gjata automjetesh në doganë

10/09/2022 17:38

Gjatë orëve të pasdites numri i kalimeve në dalje të pikës kufitare të Muriqanit është rritur, për këtë arsye janë krijuar radhë të gjata automjetesh në doganë.

Deri më tani në këtë pikë kufitare kanë dalë 5320 persona dhe 1520 automjete.

E kundërta ndodh me hyrjet në vendin tonë, pasi situata është e qetë dhe se nuk ka fluks udhëtarësh. Raportohet se kanë hyrë 5010 persona dhe 1440 automjete.

Shumë prej qytetarëve nuk kanë informacione në lidhje me sulmin kibernetik që i është bërë sistemit TIMS, që shërben për regjistrimin e hyrje daljeve në pikat kufitare.

Ministria e Brendshme ka njoftuar se deri më tani vetëm dy sportele në Pikën e Kalimit Kufitar të Rinasit i janë kthyer normalitetit, pas sulmit kibernetik në sistemin TIMS.

Njëkohësisht u njoftua se shumë shpejt do të ketë një rikthim të plotë të këtij sistemi në Rinas dhe në të gjitha pikat e tjera kufitare.

Një sulm tjetër kibernetik ndodhi në vendin tonë, kësaj radhe hakerat e sponsorizuar nga Irani vënë në shënjestër sistemin TIMS që shërben për regjistrimin e hyrje daljeve në pikat kufitare.

Top Channel