RCDE Stadium “shijoi” pesë gola në sfidën Espanyol-Sevilla, por tifozët vendas u zhgënjyen nga humbja 2-3 e Espanyl ndaj Sevilla-s.
Pjesa e parë foli e gjitha për miqtë, që realizuan 3 gola brenda 45 minutave. Ishte Lamela ai i cili zhbllokoi rezultatin, duke shënuar që në minutën e parë. Më pas në minutën e 26’ Carmona dyfishoi rezultatin për Sevilla-n, ndërsa në minutën e 45’ ishte po ai i cili gjeti rrugën drejt rrjetës duke realizuar dopietë personale dhe njëkohësisht duke i dhuruar ekipit të Lopetegui golin e tretë.
Ndërsa vendasit mundën të gjenin vetëm njëherë rrugën drejt rrjetës në fraksionin e parë, duke realizuar në minutën e 45+5’ me Joselu, i cili shënoi nga pika e bardhë e penalltisë.
SuperSport shkruan se në pjesën e dytë do të realizohej vetëm një gol dhe ai ishte realizimi i Braithawaite në minutën e 62’, me danezin që duket se te Espanyoli ka gjetur veten.
Më pas në minutën e 84’ Sevilla do të mbeste në inferioritet, kjo pasi autori i golit të parë të këtij takimi, Lamela, mori kartonin e dytë të verdhë.
Megjithatë ndeshja nuk mbaroi këtu, pasi Lamela nuk ishte i vetmi që u ndëshkua këtë të shtunë, trajneri i Sevilla-s Lopetegui mori karton të kuq pasi arbitri nuk e duroi me sjelljen e teknikut.
Kështu pas javës së pestë Sevilla ngjitet në vend të 15 me 4 pikë, Espanyol bie në vend të 16 po me katër pikë.
Ndërkohë vlen të theksohet se mesfushori i kombëtares shqiptare Keidi Bare që luan për Espanyol dhe mesfushori me origjinë shqiptare që luan për Sevilla-n, Adnan Januzaj qëndruan vetëm në stol gjatë këtij takimi.
Top Channel