Mbretëresha e Britanisë Elizabeta e Dytë, vdiq në moshën 96-vjeçare në rezidencën e saj në Skoci. Ajo ishte monarkja më jetëgjatë e Britanisë, duke mbushur këtë vit 70 vjet në fronin mbretëror. Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Londër Henry Ridgwell sjell detaje nga jeta e një prej figurave më të respektuara në botë.

Ajo ishte monarkja e vetme, që shumë britanikë, që janë sot gjallë, kanë arritur të njohin, si simbol i kombit, perandorisë dhe Komonuelthit britanik. Ajo u bë personifikim i forcës dhe karakterit britanik, shumë më përpara se të bëhej mbretëreshë.

Deklaroj para jush se e gjithë jeta ime, qoftë e gjatë apo e shkurtër, do t’i kushtohet shërbimit ndaj jush e familjes sonë të madhe perandorake, së cilës ne të gjithë i përkasim”, tha Mbretëresha Elizabeta në ceremoninë e kurorëzimit të saj.

Elizabet u ngjit në fron në moshën 25-vjeçare, pas vdekjes së babait të saj Xhorxhit të gjashtë, gati pesë vite pas martesës së saj me Princin Filip, i cili kishte lindur në Greqi.

Gjatë mbretërimit prej më shumë se shtatë dekadash, ajo u ndesh me një transformim të plotë të shoqërisë dhe teknologjisë. Ajo paralajmëroi mbi rreziqet e lënies mënjanë të idealeve të pavdekshme për të përqafuar avantazhet që ofrojnë shpikjet e reja.

Postimin e parë në Twitter Elizabeta e dytë e bëri në vitin 2014.

Ekzistojnë pak rekorde që ajo nuk i ka thyer; Elizabet ishte monarkja më jetëgjatë në botë.

Si kryetare e Komonuelthit, mbretëresha ka lidhje me të kaluarën. Ndonjëherë është një e kaluar me të cilën është e vështirë të pajtohesh, sepse kur mendon për perandorinë mendon për shfrytëzimin kolonial. Por përsa i përket mbretëreshës, ajo çka mendon është përkushtimi i saj ndaj vendit”, thotë Richard Fitzwilliams, autor dhe analist i historisë mbretërore.

Ajo përfaqësoi Britaninë në miqësitë me të gjithë ata, që ndanin vlera të përbashkëta për lirinë, barazinë dhe demokracinë, si dhe u përball me dinjitet me ata që nuk e bënin këtë gjë.

Shfaqja në publik krah saj ishte një mjet për të fituar prestigj. Mbretëresha nuk ishte imune ndaj kritikave në vendin e saj. E majta e sulmonte atë duke e quajtur simbol të një institucioni të pavend në një botë postmoderne, neoliberale e demokratike, si dhe një barrë për taksapaguesit britanikë. Vdekja e princeshës popullore Diana u dha zë kritikëve të saj, të cilët e akuzuan mbretëreshën Elizabet për reagim të ngadaltë e të ftohtë.

Ajo çfarë them si mbretëreshë dhe si gjyshe, e them nga zemra. Dua ta nderoj personalisht Dianën. Ajo ishte një qenie njerëzore e jashtëzakonshme dhe e talentuar”, tha në atë kohë mbretëresha Elizabet.

Martesa e nipit të saj Princ William me Kate Middleton, solli një frymë të magjishme rinore në institucionin antik.

Me martesën e Princit Harry me aktoren amerikane Meghan Markle, familja që Elizabet po drejtonte u duk se po ecte me kohën, më popullore, më e larmishme e më globale.

Por ajo do të kalonte përmes periudhash të dhimbshme gjithashtu. Djali i dytë i saj, Princi Andrew, u hetua për lidhje me një të dënuar për krime seksuale ndaj fëmijëve.

Harry dhe Meghan u përlasën me familjen mbretërore mes akuzave për racizëm.

Me vdekjen e bashkëshortit, Princit Philip në vitin 2021, shfaqja e saj e vetme në varrim për shkak të pandemisë, tek mbante zi përpara trupit të tij, ishte nga ato imazhe që të mbeten në mendje.

Para disa ditësh, ajo emëroi kryeministren e 15-te, që përkoi me periudhën e mbretërimit të saj, angazhimi i fundit i madh publik për të.

Mbretëresha Elizabet mbetet një nga figurat më të rëndësishme në historinë e një prej kombeve më të mëdha në botë, një urë lidhëse mes së shkuarës koloniale të Britanisë dhe të ardhmes së tij, si një lojtar global në një botë shumë më ndryshe nga ajo kur lindi Elizabet. Gjatë një vizite në Gjermani në vitin 2015, ajo foli për ndryshimet e mëdha që kishte parë.

Në jetën tonë zoti President, ne kemi parë më të keqen, por edhe më të mirën e kontinentit tonë. Ne kemi parë se sa shpejt gjërat mund të ndryshojnë për mirë, por e dimë se duhet të punojmë shumë, për të ruajtur përparimet e botës së pasluftës”.

Tradita mbretërore e Britanisë tadhmë është në duart e trashëgimtarëve të saj. Britania që ata trashëgojnë është krejtësisht e ndryshme për sa i përket demografisë, kulturës dhe ekonomisë. Në një botë të globalizuar, pluraliste, puna e tyre për të ndërtuar një imazh madhështie, nuk është më pak e ndërlikuar./Voa

Top Channel