Ambasadori i Kinës në Tiranë, Zhou Ding vizitoi mjediset e kompanisë më të madhe të naftës në vend, Bankers Petroleum Albania.

Ai vlerësoi përballimin me sukses së situatës së pandemisë nga ana e kompanisë, e cila kur çmimet e naftës u ulën ndjeshëm jo vetëm vijoi të investonte dhe të ruante nivelet e prodhimit, por edhe u gjend pranë komunitetit dhe institucioneve të ndryshme shtetërore me ndihma dhe donacione të ndryshme.

“Kam patur kënaqësinë të vizitoj dhe të shoh nga afër punën e ekipit profesional të kompanisë Bankers dhe vërej se standardet këtu janë shumë të larta. Nafta e Patos-Marinzës është një naftë e rëndë, prandaj procesi për prodhimin e saj është kompleks, por Bankers ka qenë i aftë që të mbajë lart ritmin e prodhimit falë ekspertizës dhe teknologjive të përparuara”, tha ambasadori.

Ambasadori theksoi se Bankers është gjithashtu një shembull për kushtet e larta të sigurisë dhe të shëndetit në punë në operacionet e saj të përditshme. Bankers Petroleum Albania është kompania më e madhe e prodhimit të naftës në vend. Prodhimi nga fusha e Patos-Marinzës zë rreth 90 pwr qind të totalit të naftës vendase ndërkohë që përgjatë aktivitetit të saj në vend ka paguar mbi 820 Milionë dollarë taksa dhe tatime në arkat e shtetit shqiptar.

Drejtori i Përgjithshëm i Bankers, Huanqin Xiao, tha se kompania do të vijojë të investojë bindshëm në këtë aset të rëndësishëm të Shqipërisë.

“Unë e vlerësoj shumë vizitën e Ambasadorit në mjediset e kompanisë tonë. Bankers është kompania që shfrytëzon fushën më të madhe të naftës në vend dhe falë rritjes së çmimeve ne do të investojmë gjatë vitit të ardhshëm në hapjen e puseve të reja horizontalë dhe termalë. Do të rrisim prodhimin e naftës çka do të thotë më shumë të ardhura jo vetëm për kompaninë, por edhe për shtetin shqiptar dhe komunitetin vendas”.

Nga viti 2016, fusha e Patos-Marinzës është marrë me koncesion nga investitorët kinezë të cilët janë fokusuar në zhvillimin e metodave të reja dhe ndërkombëtare në nxjerrjen e naftës bruto.

Top Channel