Portretet e çiftit Obama në Shtëpinë e Bardhë

08/09/2022 16:36

Presidenti Joe Biden dhe zonja e parë Jill Biden mirëpritën ish-presidentin Barack Obama dhe ish-zonjën e parë Michelle Obama në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën për të zbuluar portretet zyrtare të çiftit Obama.

Korrespondentja e Zërit të Amerikës pranë Shtëpisë së Bardhë, Patsy Widakuswara njofton.

Në një ceremoni për zbulimin e portreteve zyrtare të Barack dhe Michelle Obamës në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Joe Biden e quajti ish-presidentin “një nga presidentët më me ndikim” në historinë e vendit.

“Së bashku me një nga zonjat e para më me ndikim. Ti e di, Michelle. Ai e di. Të gjithe e dimë. Nuk mund ta arrinte këtë pa ty”, tha presidenti Biden.

Zoti Obama u përgjigj në të njëjtën mënyrë, duke thënë se është “fati i mirë i Amerikës” që ka Joe Bidenin si president, duke e falënderuar për “mirësjelljen” dhe “forcën” e tij.

“Ndoshta, mbi të gjitha, falë besimit tuaj në demokracinë tonë dhe popullin amerikan, vendi është më mirë se kur ju morët detyrën. Dhe ne të gjithë duhet të jemi thellësisht mirënjohës për këtë. Pra, shumë faleminderit “, tha ish presidenti Obama.

Michelle Obama mbajti një fjalim prekës duke theksuar historinë e saj, atë të një vajze afrikano-amerikane nga një lagje e klasës punëtore të Çikagos, e cila u bë zonja e parë e vendit. Ajo tha se kjo ditë nuk kishte të bënte me atë dhe bashkëshortin e saj, apo me portretet, por me vlerat amerikane.

“Kjo është thelbësorja në këtë vend. S’ka rëndësi gjaku, origjina apo pasuria. Ky është një vend ku të gjithë duhet të kenë një shans të barabartë. Nëse je fëmijë, që merr dy autobusë dhe një tren vetëm për të shkuar në shkollë, ose një nënë beqare që punon në dy punë për të vënë ushqim në tavolinë, apo një emigrant që sapo vjen, merr apartamentin tënd të parë, krijon një të ardhme për veten në një vend që ke ëndërruar.”

Portreti i Michelle Obama është realizuar nga Sharon Sprung. Portreti i Barack Obamës është vepër e Robert McCurdy, i njohur për pikturat e tij fotorealiste të Dalai Lamës dhe Nelson Mandelës.

Do të vini re se ai refuzoi të fshihte ndonjë nga flokët e mi të thinjur, refuzoi gjithashtu kërkesën time për t’i bërë veshët e mi më të vegjël”, tha duke qeshur ish presidenti.

Presidenti në detyrë zakonisht fton dhe përuron portretin e paraardhësit të tij.

Por tradita u thye nga Presidenti Donald Trump, i cili përhapi teorinë e konspiracionit se Barack Obama nuk kishte lindur në Shtetet e Bashkuara dhe nuk kishte të drejt të ishte president.

Shtëpia e Bardhë ka portrete që fillojnë me atë të presidentit të parë, George Washington. Që nga viti 1965, portretet janë financuar nga Shoqata Historike e Shtëpisë së Bardhë.

“Ne kemi krijuar tani një koleksion të tërë të këtyre portreteve”, thotë Stewart McLaurin me Shoqatën Historike të Shtëpisë së Bardhë.

Por ende mungon portreti i ish-presidentit Trump, i cili u largua nga posti pa pranuar humbjen në zgjedhjet e vitit 2020.

Shtëpia e Bardhë nuk tha nëse presidenti Biden do të organizonte ceremoni për portretin e ish presidentit Trump./ Zëri i Amerikës

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA