Vrasja e gazetares Shireen Abu Akleh, aktivistët kritikojnë reagimin SHBA-ve

07/09/2022 17:11

Departamenti i Shtetit ka reaguar ndaj një deklarate izraelite për vrasjen e gazetares palestinezo-amerikane Shireen Abu Akleh në maj, duke thënë se Shtetet e Bashkuara do të ushtrojnë trysni ndaj Izraelit që të rishikojë rregullat e angazhimit të forcave të tij në Bregun Perëndimor për të ulur rrezikun e qëllimit të gazetarëve dhe civilëve të tjerë.

Vrasja në maj e gazetares palestinezo-amerikane Shireen Abu Akleh, ndërsa ajo po ndiqte një operacion të forcave izraelite në Bregun Perëndimor, shkaktoi zemërim në mbarë botën. Të hënën, forcat izraelite lëshuan një deklaratë duke thënë se ka një “mundësi të madhe” që Abu Akleh të jetë qëlluar aksidentalisht nga ushtarët e saj gjatë një shkëmbimi të shtënash me të dyshuar të identifikuar si persona të armatosur palestinezë. Ushtria izraelite tha se nuk planifikon të ngrejë akuza penale kundër asnjërit prej ushtarëve të përfshirë në këtë incident.

Familja e gazetares Abu Akleh ka hedhur poshtë rezultatet e hetimit të Izraelit, duke thënë se Abu Akleh kishte veshur një jelek antiplumb me mbishkrimin “SHTYPI” që e identifikonte atë në mënyrë të qartë si pjesë e medias. Mbesa e gazetares Abu Akleh, Lina Abu Akleh foli me Zërin e Amerikës përmes Skype-it.

“E dimë se ajo dhe kolegët e saj që ishin të pranishëm atje kishin veshur jelekë antiplumb me mbishkrimin “Shtypi” dhe të gjithë ishin të identifikuar nga ushtria, ndërsa po shkonin për në vendngjarje. Ishte shumë qetësi dhe më pas papritmas filluan të shtënat ndaj tyre. Shireen u qëllua mes helmetës dhe jelekut të saj, pikërisht nën kokën e saj. Goditja ishte shumë e saktë. Është qesharake që deri më sot, nuk ka ende asnjë llogaridhënie dhe veprim për këtë rast”, tha ajo për Zërin e Amerikës.

Gazetarët pyetën zëdhënësin e Departamentit të Shtetit se përse Shtetet e Bashkuara nuk po e mbajnë përgjegjës Izraelin për vrasjen e një shtetaseje amerikane.

“Ne vazhdojmë t’i bëjmë presion Izraelit drejtpërdrejt dhe nga afër në nivelet më të larta për të rishikuar politikat dhe praktikat e tij në lidhje me këtë rast dhe për t’u siguruar që diçka e tillë të mos ndodhë më në të ardhmen”, tha zëvendës-zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Vedant Patel.

Reagimi amerikan nuk ishte e mjaftueshme për Lina Abu Aklehin.

“Duhet të ketë një hetim nga Shtetet e Bashkuara për ta mbajtur ushtrinë izraelite përgjegjëse për vrasjen e një prej shtetasve të tyre. Është detyrë dhe përgjegjësi e tyre. Politikat nuk mund të ndryshohen pa llogaridhënie, pa i dhënë fund mosndëshkueshmërisë”, thotë ajo.

Disa aktivist të mbrojtjes së lirisë së shtypit kanë thënë gjithashtu se Departamenti i Shtetit nuk angazhohet në mënyrë të mjaftueshme në rastet kur gazetarët vriten. William McCarren është drejtor ekzekutiv i Klubit Kombëtar të Shtypit.

“Ne jemi të shqetësuar se ka një hendek në rritje midis retorikës së mirë të Departamentit të Shtetit në lidhje me lirinë e shtypit në përgjithësi dhe veprimeve të tyre. Pra, në këtë rast, duket se ata po thonë gjëra të mira, por nuk po pranojnë të marrin veprimet që më pas nevojiten për t’u siguruar që kjo vrasje të mos kalojë pa u ndëshkuar dhe do të ketë rreziqe të qarta për gazetarët e tjerë nëse kjo nuk trajtohet”, thotë ai.

Familja e gazetares Abu Akleh, grupet e të drejtave të njeriut dhe aktivistët e lirisë së shtypit po bëjnë thirrje që Shtetet e Bashkuara, Gjykata Penale Ndërkombëtare dhe organizata të tjera ndërkombëtare të hetojnë vrasjen e gazetares Shireen Abu Akleh dhe të mbajnë përgjegjës autorët e saj./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA