Për këdo që nuk pati mundësi të pushojë gjatë verës dhe ata që preferojnë pushimet e vona, shtatori është muaji ideal. I qetë dhe me çmime që bien në vazhdimësi.

“Vera ka qenë shumë e ngarkuar dhe besoj kjo vazhdimësi të na ndjekë deri në fund të shtatorit. Ka pasur një ulje çmimesh. Ne ofrojmë paketa gjithëpërfshirëse (all inclusive) nga 60-70 euro për person në varësi të dhomës. Deri në fund të shtatorit do të ketë dhe më shumë paketa me çmime më të mira që të kenë mundësi të gjithë të bëjnë pushime në Durrës”, tha Blerim Norja, menaxher hoteli.

Shqipëria është kthyer në një destinacion turistik dhe vjeshta konsiderohet një sezon i artë për tur operatorët.

Çdo ditë, grupe të organizuara turistësh mbërrijnë në Durrës në kuadër të tureve 8 deri 15 ditore, në kërkim të historisë, kulturës dhe shijes tradicionale shqiptare.

“Do të kemi një sezon të mbarë. Grupet turistike të organizuara vijnë tani. Turet ditore janë në korrik-gusht, ndërsa më të organizuar në udhëtime të gjata janë të fokusuara në këtë sezon”, tha  Arjana Isaku, tur operator.

– Nga cilat vende kryesisht?

“Nga vendet skandinave; sot kishim një grup nga Izraeli. Nga tur operatorët dhe guidat e tjera të liçensuara me të cilët jemi në kontakt ka shumë nga Polonia, Italia, Spanja, Franca. Një miks vendesh”, u shpreh Arjana Isaku.

Një autobus me turistë izraelitë ka mbërritur vetëm pak kohë në plazhin e Durrësit. Ndonëse të lodhur nga udhëtimi, ata mezi presin të zbulojnë gjithçka mund t’u ofrojë vendi ynë në këtë vjeshtë të ngrohtë.

“Jam nga Izraeli dhe vij për herë të parë në Shqipëri. Kur shkova të këmbeja paratë pashë shumë njerëz, turistë që do të udhëtonin drejt Shqipërisë. Nuk kisha dëgjuar më parë për vendin tuaj, por mezi pres ta zbuloj dhe shijoj”, tha turistja.

 

Top Channel