Veliaj me administratorët e shkollave: E nisim vitin arsimor me 20 shkolla, kopshte dhe çerdhe të reja, këtë trend do ta mbajmë çdo vit

07/09/2022 13:55

Në prag të nisjes së vitit të ri arsimor 2022-2023, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi një takim me administratorët e shkollave në kryeqytet, të cilëve u dha porositë e fundit para hapjes së vitit të ri shkollor. Veliaj tha se Tirana, si asnjëherë më parë në infrastrukturën shkollore, është në një hap me rritjen e kryeqytetit, ku vetëm vitin e fundit janë hapur 20 shkolla të reja, ndërsa siguroi se ky ritëm do të vijojë edhe në vitet e ardhshme.

Vitin tjetër, tha Veliaj, janë 10 shkolla të tjera që presin të hapen me të njëjtat kushte, duke e kthyer këtë në një histori të rrallë suksesi në Tiranë.

“Unë jam kryetar i Bashkisë së qytetit të vetëm që vijon të rritet në numër popullsie. Kjo është arsyeja pse hapim 12 shkolla të reja më shumë, dhe 8 kopshte dhe çerdhe; pra, me 20 institucione të reja, një trend që do ta mbajmë çdo vit. Edhe vitin tjetër do të hapim 10 shkolla të reja dhe 7-8 kopshte. Është e vetmja mënyrë se si mund të menaxhojmë fluksin e Tiranës. Ajo që kërkoj nga ju është përkushtimi. Kur njerëzit sjellin fëmijët e tyre në shkollat tona, na kanë besuar dritën e syrit, njeriun më të shtrenjtë. Prandaj, kërkoj të kujdeseni për të gjitha, që nga sistemet e sigurisë, te sistemet e higjienës dhe mënyra si respektohen rregullat”, tha Veliaj, në takimin me administratorët e shkollave në Bashkinë e Tiranës.

Sipas tij, infrastruktura e re shkollore siguron jo vetëm kushte bashkëkohore për mësimdhënie, por kërkon edhe një kujdes më të madh për mirëmbajtjen e këtyre hapësirave.

“Shkollat e reja janë të gjitha shumë cilësore. Kur bëmë shkollën “Kosova”, thamë se ajo ishte shkolla më e mirë në Republikë. Tani do hapim “Sami Frashërin”, një shkollë e cila është ndërtuar si hotel me 5 yje: me tavan druri, LED, me auditorë, sensorë, me ngrohje-ftohje automatike, palestër për ndeshje olimpike, etj; praktikisht, çdo produkt i ri po bëhet më i mirë se sa tjetri. Por, çelësi është mirëmbajtja. Duke pasur kaq shumë fluks, do të thotë se prodhohet amortizim. Mirëmbajtja është shumë, shumë e rëndësishme. Nëse përgatitemi si skuadër dhe ofrojmë mirëmbajtje, sigurohemi që kjo cilësi të mbetet për shumë vite”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku nënvizoi se shkollat e tjera që kanë qenë pjesë e programit të rindërtimit janë mundësuar përmes financimeve të huaja, për të cilat është dashur pak më shumë kohë për elaborimin e fondeve, ndaj dhe dorëzimi i tyre ka zgjatur pak më tepër.

Veliaj e vuri theksin edhe te shtimi i terreneve sportive, duke përmendur mundësinë që vitin e ardhshëm Tirana mund të shpallet Kryeqyteti Europian i Sportit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA