Një 26-vjeçar është vënë në pranga pasi tentoi të vriste një person në vitin 2021 në bashkëpunim me vëllanë e tij, i cili vijon të jetë në arrati.

Ai ishte shpallur në kërkim pasi më datë 27.05.2021, në rrugën “Liman Kaba”, dyshohet se në bashkëpunim me vëllanë e tij, shtetasin K. K. ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasin R. K., 19 vjeç.

Ai akuzohet për veprat penale “Vrasja me dashje”, e mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit“.

Gjithashtu, në ngarkim të tij u referuan materialet shtesë në Prokurori, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit”, pasi dyshohet se ka kaluar kufirin më mënyrë të paligjshme.

“Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë policore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Rinas, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, kanë bërë kapjen dhe ndalimin e shtetasit: A.K., 26 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje“, e mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit”. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale“, sipas policisë.

Top Channel