Muhamet Rrumbullakut do të jetë Drejtori i ri i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Lajmi u bë i ditur nga ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi gjatë publikimit të vendimeve të qeverisë.

Rrumbullaku vjen në këtë detyrë pas shkarkimit të Gledis Nanos me argumentin se nuk ka përmbushur detyrat.

Gjithashtu ministria tha se ish drejtori Përgjithshëm i Policisë Gledis Nano do të jetë nën hetim për dekonspirimet e operacioneve.

Ministri tha se hetimet do të thellohen dhe kushdo që është përgjegjës do të ndëshkohet

“Është shqetësuese. Ne do thellojmë hetimin duke përfshirë në të dhe ish drejtorin për t’i shkuar në fund të vërtetës dhe për të ndëshkuar këdo që dekonspiron operacionet”, tha ministri.

Pas më shumë se 30 vite karrierë, në uniformat blu, Muhamet Rrumbullaku emërohet Drejtor i Përgjithshëm I Policisë së Shtetit. Pas propozimit të ministrit të Brendshëm Bledar Çuçi, kryeministri Rama firmosi emërimin e Rrumbullakut në krye të policisë. Për shkak të pozicionit të punës ai tani do të mbajë gradën “Drejtues Madhor”.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Muhamet Rrumbullaku ka nisur karrierën në uniformat blu që në vitin 1988 pas mbarimit të Akademisë së Sigurisë.

Pas trajnimeve në Shqipëri dhe jashtë saj ai është rritur në grada duke mbajtur poste drejtuese si drejtor i Akademisë së Policisë “Arben Zylyftari” , drejtor i forcave operacionale dhe zvendësdrejtor i përgjithshëm i policisë.

Në vitin 2014 me kërkesë të tij ai u lirua nga policia për t’u angazhuar në sektorin privat.  Në 2017 Rrumbullaku u angazhua sërish për 2 muaj duke qenë këshilltar i  ministrit të Brendshëm të qeverisë së përkohshme, Dritan Demiraj.

Rikthimin përfundimtar Muhamet Rrumbullaku e bëri në janar të 2019 kur u emërua drejtor i Shërbimit të çështjeve të brendshme dhe ankesat të cilin e reformoi në shërbim civil që tashmë emërtohet Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.

Këtë post 56-vjeçari e ka mbajtur deri para 1 jave ku u zëvendësua nga Ardi Veliu.

Kjo foto në shoqërinë ne Arben Frrokut I dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e komisar Dritan Lamajt, është ndër pikat me të kontestuara për figurën e Muhamet Rrumbullakut.  Në foto ai shihet në shoqërinë e Tonin Vocajt tashmë Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm, ish drejtorit Agron Kuliçaj dhe ish drejtorit të njësisë operacionale, Nikolin Bala.

Foto u përmend edhe gjatë procesit të Vetingut të Rrumbullakut ku ai u mbrojt me argumentin se fotografia ishte bërë para se Frroku të kryente veprën penale.

Pas analizimit të fakteve komisioni i jashtëm I vlerësimit e konsideroi të pastër Muhamet Rrumbullakun për të tre shtyllat, figurën, pasurinë dhe aftësitë profesionale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA