Bllokohet në det anija e peshkimit me 25 mijë litra karburant kontrabandë/ Peshkarexha në pronësi të dy vëllezërve nga Kavaja (Emrat)

07/09/2022 09:07

Një anije peshkimi me 25 mijë litra karburant kontrabandë është bllokuar në det të hapur gjatë natës së kaluar.

Peshkarexha e bllokuar është në pronësi të Roland dhe Shpëtim Cani (vëllezër), të cilët janë shoqëruar në polici. Gjithashtu është ndaluar edhe marinari Ervin Hasani.

Paraprakisht deklarohet se anija “Leone”, që i përket dy vëllezërve nga Kavaja është konstatuar në ujërat ndërkombëtare nga Guardia di Finanza, e cila ka njoftuar autoritetet shqiptare.

Gjatë natës së kaluar policia kufitare është vënë në lëvizje duke e sjellë në port peshkarexhën, ndërsa po vijon vlerësimi i sasisë së karburantit që dyshohej se do të hidhej në treg kontrabandë, pas blerjes në Liban.

Anija kishte dalë për gjueti në datën 5 shtator në drejtim të jugut dhe kur ka dalë në ujërat ndërkombëtare ku dyshohet se ka marrë dhe sasinë e naftës nga një anije libaneze, veprim ky i pikasur nga Guardia di Finanza.

Më 23 korrik një tjetër anije peshkimi, “Anyway” me 72 mijë litra karburant në bord u sekuestrua në kalatën e ish-kantierit detar në portin e Durrësit, ndërsa u arrestuan kapiteni dhe motoristi i anijes.

Ata kishin lundruar drejt Bengazit në Liban ku ishin furnizuar me karburant, që dyshohej se do të hidhej në treg kontrabandë për qëllime fitimi.

Çmimi i lartë i naftës në vendin tonë dyshohet se ka aktivizuar tregtinë e karburantit të blerë kontrabandë në Liban, ku në verë çmimi i karburantit, sipas deklaratave të peshkatarëve, ishte 0,25 dollarë për litër.

 

Top Channel