Zbulohet përse Rusia po blen municione nga Peniani, NYT: Kina refuzoi t’i shesë armë

06/09/2022 18:49

Arsyeja përse Rusia po i  drejtohet Koresë së Veriut për të blerë miliona predha artilerie dhe raketa, është se trokiti një herë në derën e Kinës për këtë gjë, por ajo nuk iu hap.

New York Times thotë se Pekini është i gatshëm të ndihmojë ekonomikisht por mesa duket nuk dëshiron të përfshihet ushtarakisht, përveçse të ofrojë ndonjë mbështetje teknike dhe pjesëmarrje në stërvitjet e përbashkëta që po zhvillohen së fundi.

“Moska kishte shpresuar se Kina do të ishte e gatshme t’i shmangte kontrollet e eksportit dhe të vazhdonte të furnizonte ushtrinë ruse. Por ditët e fundit, zyrtarët amerikanë kanë pohuar se ndërsa Kina ishte e gatshme të blinte naftën ruse me zbritje, Pekini, të paktën deri më tani, i ka respektuar kontrollet e eksportit që shënjestrojnë ushtrinë e Moskës dhe nuk është përpjekur t`i shesë asaj pajisje ushtarake”, tha NYT.

Sipas gazetës, njoftimi se Moska po blen armatime nga Peniani vjen disa ditë pasi u mësua se ajo ka marrë dhe dronë të prodhuar në Iran, disa prej të cilëve, sipas zyrtarëve amerikane, kanë probleme mekanike.

Zyrtarë të administratës amerikane thonëse vendimi i Rusisë për t’iu drejtuar Iranit dhe tani Koresë së Veriut, është shenjë e qartë e faktit se sanksionet dhe kontrollet e eksporteve të vendosura nga Shtetet e Bashkuara dhe Europa po dëmtojnë aftësinë e Moskës për të siguruar furnizime për ushtrinë e saj.

Gazeta ka cituar një zyrtar të paidentifikuar amerikan i cili ka thënë se blerje të tilla pritet të vazhdojnë dhe ndoshta të zgjerohen përtej raketave me rreze të mesme veprimi dhe municioneve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA