Përgatitjet e fundit në shesh, për pak orë nis koncerti i Rita Orës

06/09/2022 15:19

Pak orë para koncertit të madh falas sonte ne sheshin “Skënderbej”, këngëtarja me famë botërore Rita Ora mbajti një konferencë për shtyp.

Përmes këtij koncerti këngëtarja dëshiron  të përcjellë një mesazh sensibilizues për shoqërinë shqiptare, për të respektuar më shumë gratë dhe vajzat, duke u nisur nga ngjarja e rëndë e abuzimit të 11-vjeçares në Kosovë, për të cilën Rita Ora nuk mundi të përmbante lotët teksa fliste.

 “Jam vërtet e trishtuar për ngjarjen e ndodhur para pak ditësh, ndaj dua ta përdor këtë mundësi për të nënvizuar sa e rëndësishme është t’i kushtojmë vëmendje mënyrës si i rrisim fëmijët tanë, që t’u japim atyre një shans të mësojnë si të respektojnë femrat, që t’i trajtojnë ato në mënyrë të barabartë, që ato të kenë të drejtën të ecin lirshëm nëpër rrugë”.

Për këtë arsye, sonte në koncertin e Rita Orës, të gjitha këngëtaret mbështetëse do të jenë vajza, duke përmendur këtu emra si Ronela Hajati, Kida dhe Semi Jaupaj.

“Ju ftoj të gjithve të vini sonte në koncert, do të kënaqemi”.

Menjëherë pas konferencës, Rita Ora ju drejtua sheshit “Skënderbej” për të bërë provat e fundit para mbrëmjes së sotme, e cila premton emocione dhe shume surpriza.

Top Channel