Departamenti amerikan i Shtetit nuk po sanksionon vetëm kompanitë apo njerëz të afërt me pushtetin e Vladimir Putin.

Në qendër tanimë janë edhe përhapësit e lajmeve të rreme apo dezinformuesit.

Kështu Departamenti i Shtetit përmes një shkrimi të gjatë ka ekspozuar Margarita Simonayan, kryeredaktore televizionit shtetëror RT (Rusia Sot), duke e vlerësuar si fytyra dhe forca udhëheqëse e propagandës së Vladimir Putin.

“Simonayan është e aftë t’i shesë mashtrimet me një buzëqeshje”, shprehet DASH në  shkrimin për gazetaren.

Para se të bëhej kryeredaktore e RT, Simonyan punonte në grupin e gazetarëve të Kremlinit që mbulonin Presidentin Putin.

Ajo u bë e famshme pasi raportoi për sulmin terrorist në shkollën Beslan të vitit 2004 në Kaukazin e Veriut.

Kanali YouTube i liderit të opozitës ruse, Aleksey Navalny, i cili aktualisht ndodhet në një burg të sigurisë maksimale akuzoi Simonyanin se gënjeu qëllimisht gjatë transmetimeve të saj në Beslan, në mënyrë që t’i shërbente politikës së Kremlinit. Pas kësaj në moshën 25 vjeçare ajo u caktua kryeredaktore e RT.

Më tej përmenden edhe disa pikë kyçe në karierrën e saj si dezinformuese. Në një intervistë të vitit 2012, ku kryeredaktorja fliste për reportazhet e saj gjatë pushtimit rus të Gjeorgjisë në 2008-ën, ajo deklaroi, “Ministria e Mbrojtjes ishte në luftë me Gjeorgjinë, dhe ne zhvilluam edhe një luftë informacioni me të dhe me të gjithë botën perëndimore”.  

Megjithëse Simonyan pretendon të jetë gazetare, ajo mbështeti haptazi censurën e medias në kushtetutën ruse, duke deklaruar se “asnjë vend i madh nuk mund të ekzistojë pa kontroll mbi informacionin”.

Ndërkohë, që nga pushtimi i plotë i Rusisë më 24 shkurt, Simonyan ka rritur gjuhën e saj luftarake, duke treguar dy herë se Rusia mund të përdorë armë bërthamore si dhe ka lënë të nënkuptohet se “zia e bukës” është shpresa për triumfin e Rusisë.

Opozitari rus Navalny dhe ekipi i tij kanë bërë edhe një investigim mbi përfitimet financiare të Simonayan duke treguar shumat e majme që ajo dhe burri i saj, Tigran Keosayan marrin nga fondacione të mbështetura nga institucionet ruse për të bërë filma, shfaqje televizive dhe sigurisht lajme të rreme.

Një rast flagrant është filmi “Ura e Krimesë” në 2018-ën, i cili kishte për qëllim të ndërtonte krenarinë kombëtare në një urë të ndërtuar së fundmi që lidh Rusinë me Krimenë e pushtuar nga Rusia.

Filmi mori 100 milion rubla nga organizata e financuar nga shteti “Cinema Foundation”.

Top Channel