Veliaj: Nuk i druhem çështjes së inceneratorëve! Nëse dikush ka abuzuar rrugës, të mbajë përgjegjësi

05/09/2022 21:59

Kryetari i bashkisë së Tiranës, i ftuar në “Top Story”, iu përgjigj pyetjeve për inceneratorin e kryeqytetit.

Opozita ka denoncuar vazhdimisht se me inceneratorin e Tiranës janë bërë abuzime me fondet dhe janë fshehur kostot reale gjatë procesit të grumbullimit dhe djegies së mbetjeve.

Sipas Veliajt, sot Tirana është shumë më e pastër se më parë dhe falë inceneratorit, mbetjet grumbullohet dhe përpunohen, duke hequr dorë nga djegiet nëpër qytet.

“Ne nuk paguajmë investim, ne paguajmë shërbim. Detyra jonë është t’i mbledhim nga pikat mbeturinat dhe ti çojmë në Sharrë. Mua më intereson që për një çmim më të ulët plehrat t’i çojmë në Sharrë, ajo reja kancerogjene nuk është më mbi qytet. Më intereson ta bëjmë me një çmim më të ulët se paraardhësi. Nëse në këtë proces, dikush ka abuzuar rrugës, duhet të mbajë përgjegjësi”.

Nëse dikush ka gabuar, duhet të mbajë përgjegjësi, thotë kryetari i bashkisë Tiranë.

“Ajo që dallon me qeverinë më parë, është se nëse dikush abuzon, qeveria Rama nuk e mbron. Nëse në këtë proces njerëzit kanë bërë gabime, kjo s’do të thotë që t’i kthehemi prapë djegies së plehrave nëpër Tiranë. Unë paguaj vetëm për plehrat që kam çuar sot. Nëse dikush ka bërë gabim le të gjykohet, por unë s’kam lidhje. Rasti i Elbasanit dhe Fierit është tjetër, ne paguajmë vetëm shërbimin në Tiranë”.

Në Komisionin Hetimor për Inceneratorët, Erion Veliaj dëshmoi në muajin shkurt të këtij viti. Ai iu përgjigj pyetjeve dhe akuzave të deputetëve të Partisë Demokratike lidhur me dhënien e lejes për inceneratorin e Tiranës.

Top Channel