S’ka bashkim e paqe me Berishën/ Deputetët e grupit “Alibeaj”: Betejë politike në Parlament

05/09/2022 15:06

Sesioni i ri parlamentar nisi me halle të vjetra për demokratët. Grupimi që mbështet Enkelejed Alibeaj e ka mbyllur kapitullin me Sali Berishën dhe në një ambient neutral siç është godina e Kuvendit shpalosi prioritetet e aksionit opozitar, të cilat janë thelbësisht të kundërta me pjesën tjetër që gëzon selinë e partisë.

“Vendosja në një kurs përplasje të Partisë Demokratike dhe grupit të saj parlamentar me SHBA, BE dhe Britaninë e Madhe, nuk do të ishte vetëm devijim nga misioni properëndimor i Partisë Demokratike që nga krijimi, por edhe një rrugë e sigurt për të çimentuar regjimin antidemokratik dhe antiperëndimor të Edi Ramës”, tha Alibeaj.

Nuk ka bashkim me Sali Berishën por as paqe. Beteja e numrave në kampin demokrat mbetet e hapur. Sot krah Alibeaj u rreshtua Agron Gjekmarkaj.

Demokratët që ndjekin linjën amerikane kanë vendosur që luftën ta bëjnë në Parlament dhe jo në rrugë.

“Çoroditja na ka frenuar për të bërë një opozitë serioze, siç kapacitetet e një grupit parlamentar janë. Kjo e shton e më tepër keqardhjen me thënë të drejtën. Propozojmë prioritetet tona si grup parlamentar për sesionin e ri parlamentar, bazuar në tre shtylla kryesore: Reforma legjislative; Mbrojtja e interesit të qytetarëve; Kontrolli parlamentar”, tha Alibeaj.

Por, për të realizuar objektivat në Kuvend duhen numrat që Enkelejd Alibeaj nuk i ka me shumicë, por ama  ai ka mjaftueshëm sa për të penguar mazhorancën që të mos të miratoje dot nismat ligjore për pastrimin e politikes nga bashkëpunëtoret e ish sigurimit te shtetit. Grupi që mbështet Alibeajn është kundër lustracionit që propozojnë të majtët duke paralajmëruar një nismë të re.

“Grupet e punës po punojmë për çështjen e Lustracionit. Në respekt të moralit dhe për të mos u shndërruar për luftë politike dhe hakmarrje por për ti bërë shërbim shoqërisë, që të lemë pas këtë damkë për të votuar iniciativat tona janë të ftuar të gjithë por nuk ka shërbim më të keq që të përdorësh lustracionin për luftë politike dhe shantazhe”, tha Alibeaj.

Betejë në Parlament por edhe në gjykatë. Grupimi i Alibeaj pritet të depozitojë të martën një padi në Kushtetutë për zhbërjen e bordeve të Transparencës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA