Plazhistët me aftësi të kufizuara/ Hapësira publike në Durrës nuk u shërbeu të gjithëve këtë verë

05/09/2022 12:18

Në bregdetin e Golemit, 500 metra larg rrethrrotullimit të tij, ndodhet i vetmi plazh i aksesueshëm në vendin tonë për personat me aftësi të kufizuara.

Ndonëse ky plazh publik për herë të parë u vu në dispozicion të tyre në fillim të sezonit turistik, por nuk është aspak funksional për ta.

Ky i ri nga Kosova sapo ka mbërritur në Golem në kërkim të këtij plazhi për të cilin ka dëgjuar në rrjetet sociale.

“Duhet një karrige me e fut në ujë. Erdha nga Kosova vetëm për këtë plazh se e kam prindin në karrocë. 

-Si ka pushuar vitet e tjera?

“Nuk ka shkuar hiç dhe sivjet deshëm me ardh, por s’po shoh ndonjë kusht special këtu. Vetëm ky rrogoz deri në ujë”.

I zhgënjyer ai largohet, ndërsa në hapësirën e destinuar për pushuesit me aftësi të kufizuara ka vetëm pushues vendas dhe të huaj.

Të paktë janë personat me aftësi të kufizuar që e frekuentojnë këtë plazh, pasi larja në det mbetet ende një mollë e ndaluar për ta.

Pushues:

“Shumë mirë. Shumë pastër. Nuk e kam parë karrigen pluskuese.”

“Këtu e bëjmë plazhin, po nuk e dinim që është për personat me aftësi të kufizuara se vjet s’ka qenë”. 

-Keni parë persona me aftësi të kufizuara që vijnë këtu? Ju duket e lehtë për t’u përdorur ky plazh prej tyre?

“Jo fare. Është kjo dërrasa ku mund të ecin ata që janë me karroca, por në të vërtetë jo dhe aq shumë.”

“Jemi nga Republika Çeke. Është kaq këndshëm dhe na pëlqen Golemi. Nuk kam parë persona me aftësi të kufizuara këtu, por nuk më duket plazh i përshtatshëm për ta. Pasi mungojnë hapësirat, kushtet”, u shpreh pushuesja çeke.

“Hera e parë që vij në këtë vend. Shumë mirë dhe më pëlqen vendi. Edhe aroma është e këndshme.” 

Pranë brezit të pishave dhe i rrethuar, personat me aftësi të kufizuara dhe familjarët e tyre të detyruar e kanë braktisur këtë plazh aq shumë të dëshirueshëm nga ata.

Përveç Rrogozit që krijon akses deri në ujë, nuk ka asnjë standard tjetër që të lehtësojë banjot e diellit dhe ujit.

Mungojnë çadrat dhe ndenjëset. Mungon edhe karrigia pluskuese që u vendos në fillim të sezonit për të lejuar personat me aftësi të kufizuara të lahen në det, ndërsa dushet nuk kanë ujë.

Nisma të këtij lloji janë shumë të dobishme, por duhet të ofrojnë akses real dhe të mirëmbahen përgjatë të gjithë sezonit turistik.

 

 

 

Top Channel