Prej 31 gushtit, Policia e Shtetit është pa drejtues pas shkarkimit nga ky post të Gledis Nanos, i cili qëndroi në detyrë 10 muaj.

Shkarkimi me vendim qeverie erdhi për mospërmbushje objektivash dhe reagim jo të fortë e menaxhim jo efikas. Gjatë kësaj jave, policia është drejtuar nga zëvendësdrejtori i përgjithshëm Tonin Vocaj, i cili është komanduar në krye të këtij institucioni deri në emërimin e drejtuesit të ri.

Top Channel mëson se drejtori i Përgjithshëm i Policisë pritet të zyrtarizohet këtë të mërkurë në mbledhjen e ardhshme të qeverisë. Ndër emrat më të favorizuar që pritet të propozohet nga ministri i Brendshëm Bledar Çuçi është ish-kreu i Agjencisë së Mbikqyrjes Policore, Muhamet Rrumbullaku.

Emri i Rrumbullakut është propozuar edhe më herët për këtë post kjo falë karrierës disa vjeçare të tij. Rrumbullaku mban gradën drejtues i Parë dhe deri në 2013 ka qenë zvendësdrejtor i Përgjithshëm, më pas ai pati një shkëputje nga policia për t’u rikthyer si këshilltar i ministrit  të qeverisë së përkohshme Dritan Demiraj në vitin 2017.

Nga 2019 deri para një jave, ai ka mbajtur postin e drejtorit të Agjencisë së mbikqyrjes policore. Në nëntor të 2020, Muhamet Rrumbullaku u konfirmua nga Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit për të trija shtyllat pasuria, pastërtia e figurës dhe aftësitë profesionale.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA