Kombëtarja shqiptare e femrave ka mbërritur të dielën në Oslo në kuadër të ndeshjes së fundit të eliminatoreve të Botërorit 2023 ndaj Norvegjisë. Skuadra e drejtuar nga trajneri Armir Grima ka rinisur përgatitjet pas ndeshjes me Poloninë në “Elbasan Arena” më 1 shtator, ndërsa grupi ka udhëtuar i plotë drejt Norvegjisë.
Treshja e arbitrave që do të gjykojnë këtë sfidë do të jetë nga Lituania me kryesore Rasa Grigonė dhe asistente Ieva Ramanauskiene dhe Gerda Eidinzonaite.
Stafi mjekësor është duke mbajtur nën monitorim mesfushoren Qëndresa Krasniqi dhe mbrojtësen Arbenita Curraj, që kanë pasur probleme fizike pas ndeshjes me Poloninë dhe ende nuk është vendosur nëse do të mund të jenë plotësisht të gatshme për këtë ndeshje. Pjesa tjetër e grupit nuk ka probleme me dëmtimet dhe është stërvitur normalisht.
Aktualisht, Shqipëria renditet në vendin e katërt të Grupit F me 10 pikë të grumbulluara në 9 ndeshje, duke lënë poshtë në renditje Kosovën dhe Armeninë, ndërsa grupi kryesohet pikërisht nga Norvegjia. Ky është edicioni ku kombëtarja kuqezi ka marrë më shumë pikë gjatë kualifikueseve, duke shënuar një progres të rëndësishëm, qoftë në rezultate e qoftë në lojë. Paraqitja e fundit ndaj Polonisë tregoi rritjen e ekipit, që iu afrua shumë barazimit ndaj një prej ekipeve më të mira në Europë.
Top Channel