Kampusi i ri i Universitetit Bujqësor, me 8 godina, të ndërtuara tërësisht nga e para, është drejt përfundimit të punimeve dhe do të jetë gati në muajin tetor.

Me nisjen e vitit të ri akademik, 2200 studentë do të kenë mundësi të akomodohen në ambientet e reja.

“Po ndërtohet dhe është në përfundim një kampus modern konviktesh për studentet që do të regjistrohen në Universitetin Bujqësor të Tiranes por dhe për ato që vazhdojnë aktualisht studimet. Ky kampus menaxhohet nga bashkia e Tiranës por ne kemi informacion që do të jetë gati me fillimin e vitit të ri akademik dhe do të akomodojë si fillim rreth 2200 studentë, numër ky që është i mjaftueshme me studentët që ne presim të regjistrojmë në vitin e parë bachelor, në të gjitha programet e studimit të universitetit bujqësor të Tiranës”, tha Ilir Kapaj, zv.rektor i Universitetit Bujqësor.

Kompleksi i mëparshëm ka pasur 10 godina të cilat u dëmtuan nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019 dhe për pasojë u prishën.

Në këtë kompleks ishin në funksion të studentëve 2 godina kapaciteti i të cilave ishte për 300 persona.

Kompleksi i ri godinave studentore me 8 godina, përfshin sallë leximi e kompjuterash, lavanderi, recepsion, administrate, si dhe 2 kuzhina të pozicionuara në secilin kat.

“Ka shtim të madh të kapaciteteve krahasuar me kapacitetet që ofronin godinat e vjetra. Me godinat e reja ka më tepër se dyfishim të kapaciteteve të akomodimit të studentëve, por sikurse e theksova përtej kapaciteteve të akomodimit, ofron dhe një dimension social më të mirë tashmë për studentët, ku do të ketë ambiente sociale për studentët, shërbime të natyrave të ndryshme që nga mensat për student, hapësira për aktivitete. Kampus universitar me dimension modern ashtu sikurse e gjejnë studentët edhe në vendet e ndryshme europiane”, tha Kapaj.

Në çdo dhomë të kampusit do të qëndrojnë dy student. Për zonën e re studentore do të ndërtohet dhe infrastruktura rrugore, plotësuar me trotuare dhe parkime për administratën dhe studentët.

Top Channel