Macron dhe Scholz angazhojnë këshilltarë për të ndihmuar dialogun Kosovë-Serbi

04/09/2022 15:17

Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz thanë më 4 shtator se normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për Ballkanin Perëndimor.

Ata thanë se kanë ngarkuar këshilltarët e tyre për politikë të jashtme dhe siguri për t’i ofruar mbështetje të drejtpërdrejtë përfaqësuesit special të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, njoftoi Presidenca e Serbisë më 4 shtator, transmeton agjencia e lajmeve Beta.

Këshilltarët e tyre, Jens Plettner dhe Emmanuel Beaune, do t’i ofrojnë mbështetje të drejtpërdrejtë Lajçakut.

Macron dhe Scholz thanë në një letër të përbashkët drejtuar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se në dritën e agresionit rus ndaj Ukrainës, duhet të bëhen përpjekje më të forta që perspektiva evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor të bëhet realitet.

“Normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për Ballkanin Perëndimor”, thuhet në letër.

Macron dhe Scholz i kanë bërë thirrje Vuçiqit që të tregoj vendosmëri dhe gatishmëri maksimale për të marrë vendime të vështira, të cilat çojnë në përparim në dialogun ndërmjet mes dy vendeve.

“Tensionet e fundit kanë treguar se urgjentisht nevojiten hapa konstruktivë, si në nivel praktik ashtu edhe në atë politik”, thuhet në letër.

“Ne sugjerojmë që këshilltarët tanë, së bashku me Miroslav Lajçak, të vizitojnë Kosovën dhe Serbinë, për të shqyrtuar mundësitë për të çuar përpara procesin përpara”, thuhet në letrën drejtuar Vuçiqit.

Më 27 gusht, Kosova dhe Serbia janë pajtuar që të heqin dorë nga lëshimi i dokumentit për hyrje-dalje për shtetasit e të dy vendeve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA