Një 37 vjeçar me 3 emra i arrestuar më parë për drogë dhe pre e një atentati në fillim të këtij viti dyshohet se fshihet pas sulmit me armë ndaj punonjësve të policisë mbrëmjen e së premtes në Vlorë.

Diego Haxhiraj alias  Tefik haxhiraj alias Diego Hanaj ishte duke lëvizur në lagjen ‘Pavarësia’ me një mjet “Volswagen” kur dy policët Angjelo Bredhani e Nako Mehmetaj që po lëviznin me një mjet Audi pa targa dhe me xhama të errësuar e parakaluan duke i bllokuar rrugën.

Bazuar në dëshpitë e policëve dhe kamerat e sigurisë në zonë policia dyshon se 37 vjeçari I është trembur një atentati të mundshëm dhe ka qëlluar 5 herë  në drejtim të makinës Audi pa e ditur se në brendësi të saj kishte policë, të cilët nuk morrën asnjë lëndim nga sulmi.

Pas ngjarjes autori ka braktisur makinën në lagje dhe është zhdukur I armatosur me pistoletë pa lënë gjurmë. Mjeti i tij është sekuestruar nga policia dhe kontrollet vijojnë.

Në 2013, Diego Haxhiraj është arrestuar pas një operacioni antidroge në vlorë kur u kapën rreth 600 kg kanabis. Ndërsa më 5 janar të këtij viti po në lagjen ‘Pavarësia’ atij i ishte bërë një atentat ku u plagos në dorë. Prej atëherë ai lëvizte I armatosur nga frika e një sulmi nga kundershtarët.

Nga ana tjetër Agjencia e Mbikqyrjes policore po verifikon figurën e dy punonjësve të policisë të përfshirë në ngjarje dhe faktin se pse ata lëviznin me mjet të pa targuar dhe me xhama të zinj.

Top Channel