Lëkundje tërmeti në Greqi, më i forti në Kretë, nuk raportohen dëme

03/09/2022 11:14

Një tërmet me magnitudë 5.2 shkalla Rihter është regjistruar sot në orën 07:13 të mëngjesit në Kretë.

Sipas Institutit Gjeodinamik të Observatorit Kombëtar të Athinës epiqendra e tërmetit ishte në zonën detare 30 km në jug-juglindje të qytetit të Zakros, në prefekturën e Lasithit, në një distancë prej 422 km në juglindje të kryeqytetit grek dhe u regjistrua në një thellësi vetëm prej 4,7 km.

Lëkundja e tërmetit megjithëse është ndjerë në shumë zona të Kretës Lindore, si dhe në Iraklio pasi kishte edhe kohëzgjatje, nuk ka shkaktuar dëme. Sismiologët që ndjekin fenomenin shprehen se nuk ka vend për shqetësim.

Por disa orë më vonë, në 11:27, një lëkundje e re tërmeti është regjistruar në Viotia, saktësisht 5 km në verilindje të Tebës, ndërsa është ndjerë veçanërisht në gjithë Athinën.

Epiqendra e tij kishte thellësi vetëm 5 km, ndërsa kishte magnitudë 3.9 shkalla Rihter .

Vlen të përmendet se edhe para tre ditësh dy tërmete në ishullin Samos me fuqi 5.2 dhe 4.7 shkalla Rihter kanë shqetësuar banorët dhe sizmologët që shprehën problematikën e tyre për sekuencën sizmike të lëkundjeve, duke sjellë në kujtesë edhe lëkundjen e fuqishme prej 6.7 Rihter më 30 tetor të 2020, që shkaktoi dy viktima në Greqi, 114 në Turqi dhe dëme të mëdha materiale.

Top Channel