Vrasje në Shkodër/ Pak ditë më parë kërkoi drejtësi për djalin, sot ekzekutohet në mes të rrugës

02/09/2022 15:04

Një 57-vjeçar u qëllua për vdekje këtë pasdite në lagjen “Guerrile” të Shkodrës.

Ismet Çekorja ishte objektivi i sulmit me armë zjarri. Ndaj tij, autori/ët ende të paidentifikuar qëlluan disa herë duke e lënë të plagosur rëndë. 57-vjeçari u dërgua në spital, por nuk mundi t’i shpëtojë plagëve të marra.

Viktima Ismet Cekorja

Pak ditë më parë, Çekorja doli në një konference për mediet ku kërkonte nga shteti drejtësi, pasi sipas tij, djali i shpallur në kërkim për plagosje, është i pafajshëm.

Djali i viktimës u shpall në kërkim pasi dyshohet si njëri prej atentatorëve të mbrëmjes se 25 gushtit ndaj Alban Brucit. Ndaj këtij të fundit u qëllua 19 herë, por shpëtoi pa marre asnjë plagë.

Njoftimi i policisë:

Në lagjen “Guerrile”, në Shkodër, në rrethana ende të paqarta është plagosur me armë zjarri shtetasi I. Ç., 57 vjeç, banues në lagjen “Guerrile”, Shkodër, i cili më pas ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal Shkodër.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën në vendngjarje, për sqarimin e plotë të rrethanave, dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.

Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet, me pika kontrolli në zonën përreth, me qëllim kapjen e autorit/ëve.

Top Channel