Fatih Ozer, bosi i kriptomonedhës turke “Thodex” që u arrestua pak ditë më parë në vendin tonë, dali sot para gjykatës së Elbasanit, e cila la në fuqi masën e arrestit me burg.
Faruk Fatih Özer u kap në Himarë si rezultat i operacionit policor të koduar “Brain”, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Ankara.
Prokuroria kërkoi miratimin e arrestimit provizor të shtetasit turk, të kryer nga oficerët e policisë gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan.
Nga informacioni i dërguar nga Difuzioni i Interpolit, në dosjen e Ozer, thuhet se ai ka krijuar një platformë online të quajtur “Thodex” me funksion shkëmbimin e kripto-monedhës. Pasi ka akumuluar afërsisht 2 miliard USD pasuri në asete digjitale, ky i arrestuar ka mbyllur platformën dhe mediat sociale dhe është larguar nga territori turk më datë 20.04.2021.
Gjykata e Lartë e Stambollit ka lëshuar urdhër arresti në vitin 2021, ndaj 28-vjeçarit, për veprat penale “Krijimi i organizatës kriminale” dhe “Mashtrimi me pasoja të rënda”.
Autoritetet turke humbën gjurmët e themeluesit të Thodex kur ai u arratis në Shqipëri në 20 prill 2021 e mori me vete miliona dollarë që i përkisnin 400 mijë personave. Konsiderohet se mashtrimi i tij me monedhat virtuale kapte ne total vlerën e 2 miliardë dollarëve. Katër ekipe teknike u krijuan në Turqi në përpjekje për të siguruar bashkëpunim për kapjen e 28-vjeçarit.
Top Channel