Raporti, media gjermane: BE planifikon masa emergjente në rast krize

02/09/2022 22:07

Komisioni Evropian po kërkon të marrë masa  emergjente për të ndërhyrë në prodhimin e mallrave të caktuara në rast të situatave kritike, raportoi gazeta gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ), duke cituar një draft të propozimit.

Ekzekutivi i BE-së ka qenë në alert në atë se si të shmangë pengesat e furnizimit me mallra, që erdhën  me pandeminë e koronavirusit dhe nuk dëshiron më të mbështetet tek kompanitë në 27 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian që preferojnë të marrin masa paraprake vetjake.

I ashtuquajturi instrument i emergjencës së tregut të brendshëm, i vendosur për t’u paraqitur më 13 shtator, parashtron disa faza që i japin Komisionit kompetenca të ndryshme në varësi të situatës.

Kështu, “Modaliteti i vigjilencës”, i cili mund të deklarohet për një ngjarje që mund të kërcënojë sigurinë e furnizimit, i lejon Komisionit të kërkojë të dhënat e kompanisë dhe të sugjerojë fillimisht ndërtimin e atyre që quhen “rezerva strategjike”, dhe nëse kjo nuk mjafton, ta mandatojë atë.

Në rast të një gjendjeje krize, Komisioni do të lejohet të diktojë drejtpërdrejt se cilat porosi duhet të kenë përparësi kompanitë. Këto të fundit do të përjashtohen vetëm nëse kushtet e Komisionit shkaktojnë vështirësi ekonomike për ta ose edhe për arsye kapaciteti.

Sipas medias gjermane , këto masa specifike janë krijuar për të ndaluar shtetet anëtare të kufizojnë tregjet e tyre të brendshme gjatë një krize – siç u vu re gjatë pandemisë me ndalimet e eksportit të maskave të fytyrës – përmes transparencës dhe koordinimit më të mirë të masave kombëtare.

Një zyrtar i Komisionit tha se masa e propozuar synon të sigurojë transparencë dhe koordinim më të madh në rast të një situate kritike, të mbrojë lëvizjen e lirë të shërbimeve dhe mallrave dhe të maksimizojë disponueshmërinë e produkteve thelbësore. Ekzekutivi i BE-së tani po finalizon propozimin e tij.

Top Channel