KESH optimist, çmimet në Bursën e Hungarisë ulen për të tretën ditë radhazi

02/09/2022 11:03

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare pas dy procedurave të anuluara për blerje energjie në ditët e fundit të gushtit, ka zhvilluar vetëm një procedurë optimizimi.

Kjo do të thotë që prodhimin e tij KESH e ka shitur me një çmim më të shtrenjtë në fashat orare të nxjerra për shprehje interesi dhe ka blerë më lirë sasinë e energjisë që i është dashur për të plotësuar furnizimin.

Sasia e energjisë për të cilën flasim është e ulët dhe datat për të cilat ka zënë vend ky optimizim është 29 gusht-4 shtator. Konkretisht KESH shiti 1500 MWh energji për një çmim 600.91 euro/MWh për një vlerë mbi 901 mijë euro.

Për të kuptuar më qartë sasia e shitur është rreth 7 për qind e sasisë ditorë mesatare të konsumit në vend. Ndërkohë KESH ka blerë nga ana tjetër një sasi prej 2100 MWh energji me një vlerë 1.1 milionë euro. Konkretisht KESH ka shitur energjinë gati 15 për qind më shtrenjtë në raport me çmimin e blerjes duke përfituar kështu një shumë modeste kursimi.

Por teksa KESH është ndalur tek optimzimi dhe furnizimi i vendit përmes prodhimit në vend në Bursën e Hungarisë që shërben edhe si referencë për Shqipërinë çmimet kanë pësuar rënie për të tretën ditë radhazi. Pas rekordit të arritur ditën e hënë ku 1 MWh energji për fashën orare 20:00 u shit me 1047 euro apo 130 lekë për kilovat orë duket se kërkesa në treg pësoi frenim.

Në datën 31 gusht çmimi në pik ra me 7.75 për qind në raport me një ditë më parë duke u vendosur në 690 euro/MWh në bazë ndërkohë që në pik ishte 738 euro/MWh apo 8.51 për qind më pak se një ditë më parë. Rënia ka vijuar edhe për çmimet e datës 1 shtator kur në bazë çmimi u ul në 618 euro/MWh, dhe 669 euro/MWh në pik.

Duke qenë se kemi të bëjmë me bursën ku çmimi del për ditën në avancë edhe për datën 2 shtator ka vijuar tendenca rënëse duke u rikthyer për herë të parë pas 10 ditësh në këtë terren me çmime nën 500 euro/MWh. Konkterisht çmimi i një MWh energji në bazë për datën 2 shtator ishte 493 euro ndërsa në pik 555 euro me një rënie respektivisht prej 20 për qind dhe 17.14 për qind në raport me çmimet e ditës paraardhëse.

Volumi i energjisë shënoi rritje me 15 për qind duke shënuar rritjen e parë në 10 ditët e fundit dhe duke kërcyer tek 66.4 mijë MWh teksa prej datës 21 gusht qëndronte nën këtë nivel. Rritja e çmimeve në mënyrë dramatike bëri që kërkesa për energji të ulet ndjeshëm ndërkohë që pasiguria për furnizimin po bëhet gjithmonë e më e madhe për muajt në vijim në diskutimet mes ekspertëve dhe qeverive./ Monitor

Top Channel