Ndërsa bota reflekton për vdekjen e ish-drejtuesit sovjetik Mihail Gorbaçov, korrespondenti i Zërit të Amerikës Kane Farabaugh na sjell mendimet e gazetarëve dhe kujtimet e tij personale nga aktiviteti i ish-kryeministrit sovjetik, emri i të cilit do të jetë përgjithnjë i lidhur me ish-Presidentin amerikan Ronald Reagan, njëkohësisht rival dhe partner i tij në orientimin e politikave globale.

Sapo mbërriti në zonën rurale Eureka, të shtetit Illinoi, me një popullsi prej vetëm 5400 banorësh, ai u bë menjëherë epiqendra e vëmendjes.

“Duket sikur çdo person në këtë qytet të vogël është fotograf”, shprehej zoti Gorbaçov.

Por, ish-kryeministri sovjetik nuk ishte personi më i njohur që kishte vizituar këtë qytet. Aty kishte ardhur më parë edhe ish-Presidenti Ronald Reagan, që ishte jo vetëm kundërshtar i tij, por edhe partner në orientimin e gjeopolitikave.

“Zoti Gorbaçov, rrëzojeni murin!”, bënte thirrje ish-Presidenti Reagan.

Ronald Reagan kishte qenë student në Kolegjin Eureka, që e ftoi zotin Gorbaçov për një vizitë në vitin 2009, gjatë së cilës u nderua me një titull akademik, pothuajse dy dekada pas rënies së Bashkimit Sovjetik dhe gati pesë vite pas vdekjes së ish-presidentit amerikan.

Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kane Farabaugh, mbuloi vizitën e zotit Gorbaçov dhe në një moment u ndodh përballë tij, përpara një pjese të Murit të Berlinit, të dhuruar universitetit në nder të ish-Presidentit Reagan, ndërsa ish udhëheqësi sovjetik reflektonte për marrëdhëniet dhe rrëzimin e murit që ndante Evropën.

“Ronald Reagani tha ‘Zoti Gorbaçov, rrëzojeni këtë mur’. Kur më pyetën se çfarë përshtypjeje më ksihte bërë kjo thirrje e tij, u përgjigja se nuk pati ndonjë ndikim, pasi ne e dinim që Reagani e kishte filluar karrierën si aktor. Por, më duhet të them se vlerësimi im për Ronald Reaganin mbetet i lartë”, thoshte zoti Gorbaçov.

“Mihail Gorbaçovi ishte një patriot për vendin e tij dhe këtë e kuptoje menjëherë sapo e takoje, apo e dëgjoje”, thotë për Zërin e Amerikës Jeffrey Trimble.

Zoti Trimble ishte shefi i zyrës në Moskë të revistës amerikane “U.S. News and World Report” dhe raportonte për aktivitetin e zotit Gorbaçov në kulmin e Luftës së Ftohtë. Më vonë ai shërbeu si drejtor i transmetimeve ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara.

“Mihail Gorbaçovi ishte dukshëm i hapur për komunitetin e gazetarëve. Kjo ishte epoka e glasnostit, sigurisht, dhe ishte relativisht e lehtë për korrespondentët e huaj që të kishin qasje tek Gorbaçovi”, thotë zoti Trimble.

Andrew Nagorski punonte gjithashtu në Moskë si korrespondent i revistës Newsweek.

“Ai donte të respektohej. Donte të projektonte imazhin e një brezi të ri”, thotë zoti Nagorski për Zërin e Amerikës.

Ky këndvështrim vazhdoi edhe gjatë të viteve të mëvonshëm të zotit Gorbaçov, kur ai u përgjigjej me kënaqësi pyetjeve të studentëve.

Kur e pyetën se për çfarë dëshironte të mbahej mend më shumë, ai tha: “I përgjigjem kësaj pyetjeje gjithmonë njësoj – historia është tekanjoze”.

“Mendoj se jashtë Rusisë, ai do të mbahet mend si një figurë transformuese”, thotë zoti Nagorski.

I pyetur për këtë, vetë zoti Gorbaçov tha në vitin 2009 se ky opinion ndoshta nuk do të jetë unanim.

“Ka ende debat se çfarë bënë siç duhet Gorbaçovi dhe Reagani, apo se çfarë nuk u bë siç duhet. Por, askush nuk mund të mohojë një fakt shumë të rëndësishëm, i dhamë fund Luftës së Ftohtë. Filluam procesin e eliminimit të armëve bërthamore. Dhe marrëdhëniet mes dy vendeve tona në atë kohë u shndërruan në një marrëdhënie të shkëlqyer. Pati një eufori në Bashkimin Sovjetik për bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara”, tha zoti Gorbaçov.

Një eufori që është shndërruar në nervozizëm, ndërsa vazhdon lufta në Ukrainë, që i ka vendosur Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara në anët e kundërta të konfliktit./VOA

Top Channel