Vrau babë e bir, ende asnjë gjurmë nga autori/ Përcillen sot për në banesën e fundit dy viktimat në Lezhë

31/08/2022 09:49

Një ngjarje e rëndë tronditi Lezhën mbrëmjen e së hënës, ku mbetën të vranë babë e bir nga ish-dhëndri i tyre.

Viktimat Pjerin dhe Gent Përjaku, u vranë me armë zjarri në banesë nga Besnik Pjetri, i cili vijon të jetë ende në arrati.

Edhe pse janë ngritur shumë pika kontrolli nga ana e policisë, ende nuk kanë rënë në gjurmët e autorit.

Familja Përjaku ka hapur dyert e mortit që prej ditës së djeshme, ndërsa dy viktimat do të përcillen sot në banesën e fundit.

Si ndodhi ngjarja:

Viktimat jetonin në Itali prej 20 vitesh, ndërsa ishin kthyer në Lezhë vetëm një ditë para ngjarjes, por pushimet rezultuan fatale për ta.

Vrasja e dyfishtë ndodhi pak para mesnatës në fshatin Grykë Zezë të Lezhës, ku pas sherreve të vazhdueshme pas divorcit me gruan, Besnik Pjetri vendos të vrasë babanë dhe vëllanë e saj. Ky i fundit la pas një vajzë 4 vjeçe.

Burime të afërta nga familja bëjnë më dije se në momentin që viktimat janë futur në banesë, autori ka hapur derën dhe ka qëlluar drejt tyre në korridorin e shtëpisë ku ka rrezikuar dhe familjarë të tjerë.

Dyshohet se shkak për konfliktin janë bërë vajzat mes çiftit të divorcuar, të cilat mendohet se pas ndarjes nuk i ka takuar. Po ashtu burime bëjnë më dije çifti ka patur konflikte të vazhdueshme edhe pse ishin divorcuar 6 vite më parë.

Për Top Channel, fqinjët kanë treguar se familja e viktimave ishte e qetë ndërsa Genti ishte djalë i vetëm.

Familje e mirë, e mrekullueshme. Taksirati të gjen. Kanë pas jetuar, por para 20 vitesh kanë ikur në Itali. Me vra fëmijën, po jo në këtë gjendje. Djalë i vetëm, atë djalë edhe vajzën kanë pasur. Vinin çdo vit këtej në Shqipëri rinin deri në 10 dite. Nuk e di se kur ka ndodhur, por asgjë nuk kam dëgjuar. Jam çudit. S’kanë pas konflikte, andej nuk e di, por këtej jo”, u shpreh njëri nga banorët.

Kujtojmë se gjatë muajt gusht qarku Lezhë ka patur 2 plagosje, ku njëra prej tyre vijon të mbetet pa autor dhe 2 vrasje ku e fundit me dy viktima, ndërsa autori vijon të jetë në arrati.

 

Top Channel