“Stop heshtjes! Unë bërtita jo!”/ Përdhunimi i 11-vjeçares në Prishtinë, qytetarët protestojnë në Tiranë

31/08/2022 20:00

Qytetarët e kryeqytetit protestuan për rreth një orë e gjysmë, pas përdhunimit të një 11-vjeçareje në Prishtinë nga pesë persona.

Protesta sensibilizuese nisi fillimisht në sheshin “Nënë Tereza”, ndërsa të pranishëm janë edhe VIPA si Fifi, Afërdita Dreshaj, Beatrix Ramosaj, Monika Lubonja apo Evi Reçi.

Më pas ata kanë marshuar drejt Kryeministrisë dhe mbyllën protestën në sheshin ”Skënderbej”.

Me thirrjet “Unë bërtita joooo” dhe me banderolën me po të njëjtën shprehje, ata  protestuan në mënyrë paqësore, duke mos shkaktuar incidente.

Pamje nga protesta

Disa prej personave të njohur dhe të rinjve shprehën opinionet e tyre në lidhje me ngjarjen e rëndë.

Protestuesit kërkuan që abuzuesit të dënohen maksimalisht dhe të ketë reagim nga organet kompetente. Ata gjithashtu kërkuan që të jetojnë të sigurt në vendin e tyre, pa u ndjerë të rrezikuar bashkë me fëmijët e tyre.

Pamje nga protesta

“Unë jam fëmijë, pizhamet e mia nuk janë seksi”.

“Dua të dal në park pa frikë”, shkruhet në disa prej pankartave të mbajtura nga qytetarët.

“Si thuhet n shqip jo dmth jo”, shkruhej në pankartën e mbajtur nga artistja Beatrix Ramosaj, shprehje e bërë virale nga ajo në rrjete sociale.

Aktorja shqiptare Monika Lubonja pjesë e marshimit, tha se protestat do të vijojnë deri në dënimin maksimal të autorëve.

“Do të jemi çdo ditë derisa ata të marrin dënimin maksimal”, tha ajo, duke lënë të hapur mundsinë e mbajtjes së protestave të tjera.

Pesë personat e akuzuar

Ngjarja e rëndë që tronditi jo vetëm Kosovën nxiti protesta masive në Prishtinë.

Një numër i lartë qytetarësh protestuan duke kërkuar drejtësi për të miturën, duke dënuar autorët, të cilët tashmë janë arrestuar dhe ndodhen në paraburgim.

Protestuesit në Prishtinë u vendosën përballë Ministrisë së Drejtësisë, ndërsa rrugët në atë zonë u bllokuan plotësisht.

Qytetarët brohoritën dhe kanë marshuar me pankarta në duar duke përcjellë mesazhe dhe emrat ose fotot e autorëve të dyshuar.

Prokuroria Themelore e Prishtinës pritet të bëjë kërkesën e përcaktimit të masës së sigurisë nga Gjykata Themelore e të marrë një vendim për 5 të akuzuarit.

Autorët e dyshuar janë 19-vjeçari Shkëlqim Kameri, 27-vjeçari Ekrem Rexhepi, vëllai i tij i mitur G.Rexhepi dhe dy të miturit Xh.S. e G.J.

FOTO GALERI
1/43

Top Channel