Protestë kundër dhunës! Prishtinë dhe Tiranë, qytetarët të revoltuar pas dhunimit të vajzës 11 vjeçe

31/08/2022 19:38

Në mbrojtje të vajzave dhe grave u mbushën rrugët e Prishtinës.

Protesta mori shkas nga përdhunimi i 11 vjeçares nga pesë persona, e për ta u kërkua dënim maksimal.

Shumë gra e nëna iu bashkuan protestës për të kërkuar më shumë siguri për fëmijët e tyre.

Rrugët u bllokuan nga protestuesit që vazhduan në Ministrinë e Drejtësisë, Prokurorinë e Shtetit e Polici për të kërkuar përgjegjësi.

Këto institucionet u ngjyrosen me të kuqe si shenjë e dështimit të trajtimit të rastit.

Për mungesën e reagimit qytetarët thanë që tashmë protestat janë zgjidhja e vetme.

Për të mbrojtur vetën gratë dhe vajzat kërkuan edhe legalizimin e sprajit irritues për sy.

Protestuesit kundër dhunës ndaluan para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës për të qëndruar për orë të tëra duke protestuar.

E të mërkurën Gjykata Themelore e Prishtinës caktoi masën e sigurisë me burg për një muaj edhe për të dyshuarin e pestë në rastin e përdhunimit të 11 vjeçares.

Ndërkohë dorëheqje dha edhe Ali Gashi drejtori i Drejtorisë për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve pranë Shërbimit Korrektues të Kosovës, pasi që njëri nga të dyshuarit për dhunim ka qenë në mbajtje të dënimit në institucione korrektuese për disa vepra penale.

Protestë me kërkesë për drejtësi për 11 vjeçaren që u përdhunua nga pesë persona është mbajtur edhe në Tiranë.

 

Top Channel