Energjia po konsumohet më pak! Nga një tetori do rritet fatura për ata që shpenzojnë mbi 800 kilovat në muaj

31/08/2022 19:54

Shqipëria ka importuar 664GWh energji vetëm tremujorin e dytë të vitit, gati dyfish më shumë se krahasuar me një vit më parë, duke pasqyruar edhe situatën e vështirë në sektorin energjetik.

Janë këto të dhënat e Institutit të Statistikave, sipas të cilave nga ana tjetër eksporti i energjisë është përgjysmuar kundrejt të njëjtin tremujor të vitit që lamë pas, duke bërë që shkëmbimi i energjisë të shënojë vlera negative.

Gjatë periudhës prill-qershor mungesa e reshjeve ka bërë që prodhimi vendas i energjisë elektrike në vend të ulet me gati 40%.

Pjesa më e madhe e energjisë së prodhuar mbi 60% e saj është realizuar nga hidrocentralet private, ndërsa pjesa tjetër nga hidrocentralet publike dhe një sasi e vogël nga prodhuesit fotovoltaikë.

Instat raporton se përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët, si familjarët ashtu edhe bizneset është ulur duke shfaqur shenja kursimi.

Kursimi i energjisë dhe përdorimi sa më eficient i saj është apeli që po bëhet vazhdimisht nga autoritetet për shkak të krizës së energjisë dhe çmimeve të larta të blerjes së saj në import. Këto të fundit kanë arritur në shifra stratosferike në bursat ndërkombëtare  në fund të gushtit duke kapërcyer 1000 euro për Mëh.

Nga janari e deri në fund të gushtit Korporata Elektroenergjetike ka shpenzuar rreth 300 milionë euro për blerjen e energjisë elektrike. Tab blerja energjisë

Ministria e Energjisë ka lajmëruar tashmë për vendosjen e një tavani dhe se kush shpenzon më shumë se 800 kv/orë energji duke nisur nga 1 tetori do të duhet të paguajë më shumë për energjinë elektrike.

Kriza energjetike globale me çmime të shtrenjtuara të blerjes në import dhe mungesë së reshjeve për të siguruar energjinë në vend ka bërë që qeveria të zgjasë gjendjen e emergjencës së furnizimit me energji elektrike deri më 31 dhjetor të këtij viti.

 

Top Channel