“Burrat në protestë numërohen me gishta”/ Protestuesit: Nuk është e drejtë të dalim në rrugë me frikë

31/08/2022 19:10

Shumë protestues janë mbledhur ditën e sotme në sheshin “Nënë Tereza”, ku po protestohet në lidhje me ngjarjen e rëndë që ndodhi në Kosovë dy ditë më parë, ku një 11-vjeçare u përdhunua për orë të tëra nga pesë burra.

Të pranishëm në protestë janë shumë figura të njohura publike, mes tyre ka folur edhe gazetarja Zhaklin Lekatari, e cila ka bërë thirrje të gjithë prindërve të edukojnë me frymë ndryshe fëmijët e tyre.

Vajza të reja e të mitura gjithashtu kanë marrë pjesë në protestë, të cilat janë shprehur se kanë frikë të shkojnë nëpër kurse pas ngjarjeve të rënda që po ndodhin çdo ditë.

Zhaklin Lekatari: Më vjen shumë keq që në këto gjashtë vite jam ofenduar që kam promovuar edukimin seksual. Paradoksi është që të përdhunohej një vajzë 11-vjeçare nga pesë burra për shtatë orë, që sytë të ktheheshin te unë. Edukoni vajzat e djemtë që shoqëria të jetë më e shëndetshme.

12-vjeçarja: Nuk është e drejtë që një vajzë e vogël të trajtohet në këtë mënyrë. Përse duhet të dal unë me frike në rrugë për të shkuar në kurse. Pse duhet ta kem unë këtë mendim e këtë frikë për të dalë në rrugë.  Sa herë dal ndihem me frikë pas gjithë këtyre gjërave që kam parë.

Aktiviste: Asnjë burrë nuk e ka marrë fjalën për të folur. Numërohen me gishta burrat në këtë protestë. Ku janë shokët tuaj? Gjërat që kam dëgjuar këto ditë më kanë lënë pa gjumë.

 

Top Channel