Për herë të parë, Presidenti Joe Biden ka folur për temën e ndjeshme të politikës amerikane, kontrollin nga FBI-a të shtëpisë së ish-Presidentit Donald Trump në Florida.

Sikurse njofton korrespondetja e Zërit të Amerikës Patsy Widakuswara zoti Biden tha se sulmet e republikanëve ndaj agjencisë federale të zbatimit të ligjit janë të ulta.

Gjatë një takimi të martën në Pensilvani, për të çuar përpara planin e tij për parandalimin e krimeve, Presidenti Biden kritikoi republikanët për sulmet e tyre verbale ndaj FBI-së.

Është e pështirë të shohësh sulmet ndaj FBI-së, duke kërcënuar jetën e agjentëve të zbatimit të ligjit dhe familjeve të tyre, thjesht pse bëjnë detyrën e tyre dhe zbatojnë ligjin”.

Pas kontrollit nga FBI-ja të rezidencës së ish-Presidentit Donald Trump në Florida, në fillim të këtij muaji, mbështetësit e zotit Trump kanë bërë thirrje për shkurtimin e fondeve për FBI-në.

Kemi nevojë ta zëvendësojmë këtë agjenci sepse nuk besoj se mund të reformohet. Ajo po vepron si një shtet brenda shtetit, ka dalë jashtë kontrollit dhe po shkel të drejtat e njerëzve, kjo është e papranueshme”, thotë John Hugo, bashkëthemelues i organizatës politike të krahut të djathtë “Super Happy Fun America”.

Presidenti Biden kritikoi republikanët për mbrojtjen e autorëve të sulmit të 6 janarit ndaj ndërtesës së Kongresit amerikan.

Po u them miqve të mi republikanë (MAGA) në Kongres. Mos thoni se i mbështesni organet e rendit, nëse nuk dënoni atë që ndodhi më 6 janar. Mos thoni se nuk mundeni. Për hir të Zotit, në anë të kujt jeni?

Komentet e Presidentit Biden shënojnë një përshkallëzim të dukshëm të retorikës së fushatës para zgjedhjeve të nëntorit, ku republikanët shpresojnë të rimarrin kontrollin e Kongresit.

Zëri i Amerikës bisedoi me profesorin William Howell të Universitetit të Çikagos.

Është një hapësirë e ndërlikuar manovrimi politik, që nga njera anë të mbështesësh sundimin e ligjit dhe nga ana tjetër të kritikosh Departamentin e Drejtësisë, për të ndjekur penalisht kundërshtarët”.

Fjalimi i Presidentit Biden është pjesë e turneut për të reklamuar fitoret e tij të fundit legjislative, përfshirë legjislacionin dypartiak për sigurinë nga armët të miratuar në fillim të këtij viti pas vrasjeve masive në Uvalde të Teksasit dhe Buffalo të Nju Jorkut.

Presidenti Biden kritikoi republikanët për kundërshtimin e propozimit të tij për të rikthyer ndalimin e armëve gjysmë-automatike, të cilat u përdorën në të dy tragjeditë. Shtëpia e Bardhë thotë se plani 37 miliardë dollarësh i Presidentit Biden për parandalimin e krimeve do të shpëtojë jetë dhe do t’i bëjë komunitetet më të sigurta./voa

Top Channel