Bashkimi Europian, i dyzuar për ndalimin e plotë të vizave për Rusinë

31/08/2022 15:49

Vendet anëtare të Bashkimit Evropian nga pjesa veriore e kontinentit kërkuan të mërkurën ndalimin e vizave turistike për qytetarët rusë.

Këto vende këmbëngulin se kjo është një çështje e sigurisë kombëtare, ndërsa lufta që filloi Presidenti Vladimir Putin kundër Ukrainës po vazhdon. Por, në një takim joformal të ministrave të jashtëm të BE-së në kryeqytetin çek, Pragë, Franca, Gjermania dhe Belgjika, argumentuan se është e rëndësishme të mos ndëshkohen rusët, që mund ta kundërshtojnë luftën, ose duan të hyjnë në Evropë për qëllime humanitare, raporton Zëri i Amerikës.

Në muajin maj, Bashkimi Evropian, vendosi sanksione ndaj zyrtarëve dhe oligarkëve rusë të lidhur me Kremlinin. Mes masave kufizuese ishte edhe ndalimi i vizave për ta.

Por thirrjet po rriten, veçanërisht nga Polonia, vendet baltike – Estonia, Letonia dhe Lituania, si dhe vende të tjera të Evropës veriore për një ndalim më të gjerë të turistëve rusë.

Normalisht lëvizja në 26 vendet që përbëjnë zonën Schengen, bëhet pa pasaporta.

“Ne jemi duke komunikuar me vendet e BE-së në rajonin tonë dhe mendoj se është kompetenca jonë kombëtare në bazë të parimit të sigurisë kombëtare të vendosim për çështjet e hyrjes në tokën tonë”, tha zoti Reinsalu.
Me kalimin e viteve, disa vende kanë rikthyer kontrollet kufitare për arsye sigurie në zonën Shengen.

Ministri i Jashtëm i Finlandës, vend që ndan kufirin më të gjatë të BE-së me Rusinë, nënvizoi se vendi i tij, që nga e enjtja, do të ulë ndjeshëm numrin e vizave që u jepen qytetarëve rusë, në vetëm10% të numrit të zakonshëm të vizave.

“Finlanda nga 1 shtatori do të kufizojë dhënien e vizave për turistët rusë dhe ne jemi këtu duke propozuar që një veprim i ngjashëm duhet të ndërmerret nga i gjithë Bashkimi Evropian. Mendojmë se është e rëndësishme që ta bëjmë këtë në kohën kur ukrainasit po vuajnë. Turizmi nuk duhet të vazhdojë normalisht, duhet të ketë kufizime me vizat turistike”, tha kryediplomati finlandez, Pekka Haavisto.

Qwndrim të ngjajshëm mban edhe homologu i tij nga Danimarka, Jeppe Kofold.

“Duhet të ketë pasoja në të gjitha frontet, prandaj ne duam të kufizojmë vizat për turistët rusë, t’i dërgojmë një sinjal të qartë Putinit, Rusisë, se ajo që ai po bën në Ukrainë është krejtësisht e papranueshme. Ne gjithashtu duhet të mos harrojmë se ukrainasit mund të shohin si rusët po bëjnë pushime në jug të Evropës ndërsa ukrainasve nuk iu lejohet të largohen nga vendi pasi duhet të qëndrojnë dhe të luftojnë kundër pushtuesit”, tha zoti Kofold.
Por, vendet evropiane larg kufijve të Rusisë dhe Ukrainës hezitojnë të shkojnë shumë larg rreth çështjes së vizave.

“Ne kemi parë në muajt e fundit, kjo është përvoja edhe në Gjermani, që numri i vizave gjithsesi ka rënë. Por, ne kemi parë gjithashtu që ka pasur momente kur u kemi dhënë viza njerëzve që me guxim kanë vendosur të largohen nga Rusia, nëpërmjet vizës Shengen. Kemi parë, për shembull, gazetarë që duan të raportojnë nga Bashkimi Evropian ose, studentë që largohen. Dhe unë do të doja që kjo mundpsi për ta të vazhdojë”, tha kryediplomatja gjermane, Annalena Baerbock.

Mediat ndërkombëtare raportojnë se ministrat e jashtëm të BE-së me gjasë do të pajtohen për pezullimin e marrëveshjes së vitit 2007 për lehtësimin e vizave për usinë. Kjo do t’i bëjë aplikimet për viza për qytetarët rusë në BE më të kushtueshme dhe procesi do të marrë më shumë kohë.

Top Channel