Katastrofa klimatike në Pakistan, OKB-ja: Përmbytjet, musonë me steroidë!

30/08/2022 13:28

Pakistani po përballet me “një muson me steroidë”, paralajmëroi Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres pas lajmeve se përmbytjet tashmë kanë goditur një të tretën e vendit.

Guterres i kërkoi botës që t’i vijë në ndihmë Pakistanit, teksa lëshoi një apel për mbledhjen e 160 milion dollarëve me qëllimin te ndihmohen njerezit e prekur nga katastrofa.

Antonio Guterres: Azia Jugore është kthyer në një pikë të nxehtë të krizës klimatike. Le të ndalojmë ecjen në gjumë drejt shkatërrimit të planetit tonë nga ndryshimet e klimës. Sot është Pakistani. Nesër mund t`i vijë radha vendit tuaj.

Apeli i OKB-së, sipas tij, synon t`u sigurojë 5.2 milionë njerëzve ushqim, ujë, arsim emergjent dhe mbështetje shëndetësore. Të paktën 1,136 njerëz kanë humbur jetën që nga qershori ndërsa në mbarë vendin janë shkatërruar rrugë, shtëpi, ura e të korra.

Të hënën, ministrja pakistaneze për ndryshimet klimatike Sherry Rehman e përshkroi situatën si një “katastrofë humanitare të shkaktuar nga klima me përmasa epike”. Edhe kryeministri Shabaz Sharif u shpreh se këto janë shirat më të dendura që Pakistani ka parë në tre dekada. Ai tha se avionët që transportonin ndihma nga disa vende të botës kanë mbërritur tashmë dhe se do të vijnë edhe më shumë.

Avionët e parë me ngarkesa nga Turqia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe përmbanin tenda, ushqime dhe materiale të tjera të nevojshme.

Top Channel