Dy vrasje të dyfishta brenda 24 orëve! Vëllai vret vëllanë dhe kunatën, ish-dhëndri ekzekuton babë e bir

30/08/2022 18:24

Dy vrasje të dyfishta kanë ndodhur brenda disa orëve në vendin tonë, duke tronditur qytetarët.

Këtë pasdite një burrë ka vrarë me armë zjarri vëllanë dhe kunatën e tij në një lokal në zonën e “Myslym Shyrit” në Tiranë, ndërsa ende nuk dihen arsyet.

Ndërsa pak minuta para mesnatës, Grykë Zezë të Lezhës, Besnik Pjetri vrau ish-kunatin Gent Përjaku dhe ish-vjehrrin Pjeter Përjakun. Vrasja ndodhi pas një konflikti që erdhi pas divorcit të Besnik Pjetrit me vajzën e familjes Përjaku.

Po ashtu burime bëjnë më dije çifti ka pasur konflikte të vazhdueshme edhe pse ishin divorcuar 6 vite më pare.

Autori pas ngjarjes është larguar në drejtim të paditur, ndërsa policia është ende në kërkim të tij. Ky i fundit la pas një vajzë 4 vjeçe.

Viktimat jetonin në Itali prej 20 vitesh, ndërsa ishin kthyer në Lezhë vetëm një ditë më parë, por pushimet rezultuan fatale për ta.

Pasi janë kthyer nga një darkë familjare, ata janë drejtuar për në shtëpi ku si duket autori i dyshuar iu  ka bërë pritë duke i ruajtur pranë banesës së tyre.

Burime të afërta nga familja bëjnë më dije se në momentin që viktimat janë futur në banesë, autori ka hapur derën dhe ka qëlluar drejt tyre në korridorin e shtëpisë ku ka rrezikuar dhe familjarë të tjerë.

Me këto ngjarje rritet më tej bilanci i vrasjeve, duke vënë në pikëpyetje sigurinë për jetën në vendin tonë.

Kjo është vrasja e 24-të e kësaj vere, ndërkohë që 29 persona kanë humbur jetën. Kurse për vitin 2022 kanë ndodhur 40 vrasje me 47 të vdekur.

Top Channel