Ukrainasi Fedir Alpatov, i cili u arrestua disa ditë më parë në Gramsh bashkë me dy rusë, pas një incidenti në Uzinën e Përpunimit të Armëve ka ankimuar në Gjykatën e Apelit Durrës masën e sigurisë “arrest me burg” të vendosur nga Gjykata e Elbasanit duke kërkuar lehtësimin e masës në “detyrim paraqitje”.
Alpatov është student dhe kërkon të vazhdojë shkollën që të mos humbasë vitin, duke theksuar se nuk ka asnjë rrezikshmëri për t’u arratisur.
Sipas avokatit mbrojtës Saimir Visha ukrainasi nuk ka qenë në vendin e ngjarjes kur është hedhur sprajt neoparalizues ndaj dy ushtarëve shqiptarë dhe nuk ka lidhje me asnjë agjenci spiunazhi si ruse apo të huaj, por qëllimi i vërtetë i ardhjes në Shqipëri ka qenë hobi për të shkuar në vendet ish komuniste dhe fotografimi i bunkerëve apo repartet e braktisura duke i nxjerrë më pas në rrjete sociale. Sipas tij edhe paratë e gjetura në sendet personale rreth 6 mijë euro Alpatrov i kishte marrë nga e ëma për ti shpenzuar për pushime.
Në argumentin e mbrojtjes është përdorur dhe deklarata e kryeministrit Rama që e cilëson uzinën e Gramshit ish reparti ushtarak I deklasifikuar që nga viti 2012. Mbrojtja thekson se nuk jemi përpara një fakti penal që cenon pavarësinë kombëtare për aq kohë që ministra dhe kryeministri deklarojnë publikisht që nuk jemi përpara cenimit të sovranitetit kombëtar.
Dy rusët Mikhail Zorin, 23-vjeç, Svetlana Timofeeva, 33-vjeç dhe ukrainasi Fedir Alpatov mbahen në burg që prej datës 20 gusht. Mikhail Zorin u konfliktua me 2 ushtarët shqiptar në uzinën e cekinit në Gramsh ndërsa Svetlana Timofoeva dhe Fedir Alpatov u kapën në Cërrik teksa po udhëtonin me mjetin “Chevriolet”.
Të tre akuzohen për “Goditja për shkak të detyrës”, “Dhënia e informatave sekrete”, dhe “Sigurimi i informatave”, kryer në bashkëpunim.
Top Channel