Shtëpia e Polifonisë është muzeu më i ri në Gjirokastër.

Një fragment i tunelit nëntokësor të Luftës së Ftohtë që kalon nën një pjesë të pazarit karakteristik është shndërruar me fantazinë artistike të kuratores Edit Pula në një tunel zërash të ispolifonisë.

Kjo qasje e re dhe inovative ndaj trashëgimisë gojore të mbrojtur nga UNESCO ka nxitur interesin e shumë vizitorëve.

Minimuzeu i vendosur nën xhaminë e Memi Beut në zemër të pazarit është një mjedis interaktiv dhe edukues rreth një trashëgimie ende pak të njohur ndërkombëtarisht.

Muzeu është njëkohësisht një bibliotekë muzikore kushtuar tingujve të këngës qytetare, sazeve të jugut dhe demonstrim dixhital i kësaj trashëgimie.

Vizitorët ftohen të dëgjojnë në mënyrë dixhitale interpretime dhe të përsërisin pas artistëve.

Përveç të tjerash vizitorët brenda muzeut marrin ndjesi që ndërthurin një të kaluar historike të errët dhe problematike ende të pazbuluar tërësisht.

Ndërsa përshkojnë “Tunelin e Zërit” me gjatësi rreth 48 m i shoqëron “ Dekonstruksioni i Isopolifonisë” një instalacion zanor i realizuar prej kompozitorit Robert Bisha.

Muzeu më i ri i Gjirokastrës është gjithashtu një kënd memorieje dhe nderimi për artistët që e mbajtën gjallë traditën ata që ende e këndojnë ison dhe për ata që do të vijojnë ta mbajnë gjallë në të ardhmen.

 

Top Channel