Theu masën e arrestit në shtëpi dhe shkoi drejt morgut pasi i vranë kushëririn, gjykata shpall fajtor 19-vjeçarin

28/08/2022 11:13

Një 19-vjeçar i cili doli në mesnatë nga shtëpia dhe vrapoi drejt morgut pasi u njoftua se i kishin vrarë kushëririn u shpall fajtor nga gjykata e Tiranës.

Pasi ishte prezantuar para policisë dhe pasi kishte pyetur për identitetin e të vrarit, agjentët dolën në përfundimin se i riu që ndodhej para tyre kishte thyer masën e arrestit nga shtëpia dhe se nuk duhet të dilte nga banesa pavarësisht fatkeqësisë që i kishte ndodhur. Me këto gjetje 19-vjeçari u hetua më pas nga prokuroria e Tiranës.

Por dosja hetimore tregon se kushëriri që ju vra te pandehurit Enxhi Halilaj është shtetasi Jurgen Duka , qëlluar për vdekje nga polici Arbër Sula gjatë një grindjeje banale për radhën në kasën e një supermarket. Burimet e Anila Hoxhës thonë se 19-vjecari Halilaj doli nga shtëpia dy orë mbas vrasjes së Dukës dhe u prezantua para policisë me emrin e tij.

Krahas kësaj në fashikull përmendet “ rreth orës 03.20 minuta të datës kësaj date shërbimet e policisë morën njoftim se tek qendra spitalore Nënë Tereza , tek morgu u paraqit i  dyshuari Enxhi Halilaj , si i afërm i viktimës që mbeti vrarë tek  një market.

Nga ana tjetër prokuroria që e hetoi më pas thekson se “ duhet shtuar fakti që ndaj të dyshuarit Halilaj ishte në fuqi një vendim gjyqësor datë 11 tetor 2021 , në të cilën urdhërohet arresti shtëpiak sipas nenin 237 të Kodit Penal”. Në shpalljen e vendimit me një vit burgim gjykata aplikon gjykimin e shkurtuar me arsyetimin se ‘ I pandehuri nuk mund të shikohet si një figurë abstrakte, por si një njeri i gjallë me cilësi të caktuara, me një të kaluar dhe prespektivë të caktuar” theksohet në vendimin me numër 1649.

Polici Arber Sula e qëlloi me armën e shërbimit  Jurgen Duken në dhjetor 2021. Kamerat e sigurisë tregojnë se si viktima dhe klienti i veshur civil që ishte polic shtyhen pranë kasës dhe për motive të dobëta, polici nxjerr pistoletën dhe qëllon. Ai u vetdorëzua disa muaj më vonë dhe para gjykatës deklaroi se qëlloi për vetmbrotje. Aktualisht ish polici Sula ndodhet nën arrest me burg.

Top Channel