Prokuroria e Tiranës e konsideroi rrethanë lehtësuese nervozizmin nga gjobat e shumta ndaj një qytetari , i cili kur mori masën e radhës administrative reagoi duke shtyrë policin Zeqir Musaj.
Por edhe pse polici u dëmtua mbasi ju thyen gjymtyrët , dhe teksa referimi u krye për plagosje të rëndë me dashje , akuza e ka zbutur qëndrimin ndaj autorit.
Sipas burimeve të Top Channel në mbyllje të hetimeve shtetasi Ermal Mucolli u akuzua vetëm për kundërshtim të policisë kurse akuza tjetër nuk u gjet e provuar . Prokuroria thotë se polici Musaj gjatë detyrës konstatoi një automjet të parkuar në trotuar.
Efektivi ka vendosur gjobë ndaj automjetit dhe në këto çaste pranë tij është afruar qytetari që i ka thënë: “mos e vendos gjobën se po pija kafenë dhe do iki menjëherë.”
Prokuroria deklaron në mbyllje të hetimeve se gjatë bisedës mes të dyve efektivi është përgjigjur se ndërkohë e kishte prerë gjobën.
I dyshuari që më pas u identifikua si shtetasi Ermal Mucolli është nervozuar dhe i acaruar është përgjigjur, pse ma vendose se dje i pagova ca gjoba. Ai ka marrë bllokun e gjobave dhe e goditi efektivin në kohë – shkruan prokuroria në mbyllje të hetimeve dhe më pas e qëlloi me grushta e shkelma.
Kjo përleshje është mbyllur me rrëzimin përtokë të efektivit Zeqir Musaj , i cili theu këmbën dhe më pas u dërgua menjëherë në spital
Top Channel