Kyriakos Mitsotakis pranon se përgjimi i politikanit të opozitës ka qenë politikisht i gabuar, por nuk jep sqarime të mëtejshme. Tsipras e akuzon për arrogancë.
Prej muajsh qarkullonin thashethemet, por prej disa javësh është e sigurt: shërbimi sekret grek EYP ka përgjuar Nikos Androulakis, eurodeputet dhe kryetar i partisë së dytë më të madhe opozitare, Pasok, dhe gazetarin e financave, Thanasis Koukakis.
Mitsotakis nuk përgjigjet shumë konkretisht
Skandali i përgjimeve vazhdon ta ndjekë nga pas kryeministrin Kyriakos Mitsotakis. Gjatë një debati të ashpër në Parlamentin e Athinës, kreu i qeverisë konservatore përsëriti se përgjimi i telefonit të kryetarit të një partie opozitare ishte një veprim në përputhje me ligjet, por “politikisht i papranueshëm”. Por çdo iniciativë për korrigjimin e këtij gabimi nuk duhet të cenojë punën e rëndësishme të shërbimit sekret EYP.
Me gjithë pyetjet e shumta të bëra nga ana e deputetëve të opozitës, kryeministri tha se përgjimet kishin të bënin me çështje të sigurisë kombëtare, pa dhënë sqarime të mëtejshme. “Le t’u vëmë vizën gabimeve të djeshme,” kërkoi kryeministri konservator. Ai tha se vetë nuk kishte qenë në dijeni të përgjimeve.
Tsipras akuzon Mitsotakisin për arrogancë
Ish-kryeministri dhe kreu i partisë së majtë Syriza, Alexis Tsipras, e kritikoi ashpër Mitsotakisin. “Kreu i qeverisë ka detyrim ligjor, politik dhe jo më pak moral të zbardhë të kaluarën”, tha Tsipras dhe kërkoi sërish dorëheqjen e tij. Tsipras pyeti nëse bëhej fjalë për sigurinë kombëtare apo nëse Androulakis ishte një agjent i huaj. Ai tha se refuzimi i Mitsotakisit për të thënë të vërtetën është përgjigje e mjaftueshme. “Dorëhiquni. Ju nuk jeni të interesuar për demokracinë për shkak të arrogancës suaj,” tha Tsipras.
Mitsotakis refuzoi duke argumentuar me “përgjegjësinë për të udhëhequr vendin nëpër këtë dimër të vështirë” me një “valë të re invadimi” nga imigrantët. Kohët e fundit është rritur numri i tentativave për kalimin e kufirit në kufirin greko-turk.
Skandali i përgjimeve u bë publik në fund të korrikut. Në atë kohë, Androulakis, kreu i partisë opozitare socialiste Pasok, paraqiti një padi në Gjykatën e Lartë për tentativë spiunimi në telefonin e tij celular, pasi gjeti të instaluar softuerin ilegal Predator. Në vazhdën e zbulimeve, shefi i inteligjencës Panagiotis Kontoleon dhe një këshilltar i afërt i kryeministrit dhanë dorëheqjen.
Menjëherë pas ardhjes në pushtet, partia konservatore Nea Demokratia, në korrik 2019, bëri një reformë të shërbimeve të fshehta. Prej korrikut 2019, shërbimi i fshehtë grek i raporton drejtpërdrejt kryeministrit./DW
Top Channel