Shefi i OBSH-së: Nuk mund t’i ndihmoj familjes sime të uritur në Etiopi

26/08/2022 14:13
Kreu i OBSH-së Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus

Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Ghebreyesus, ka thënë se nuk mund t’iu dërgojë të holla familjarëve “të uritur” në rajonin Tigray në Etiopi.

Ky rajon është shkatërruar si pasojë e luftës.

“Kam shumë familjarë atje. Dua t’iu dërgoj para, por nuk mundem”, ka thënë ai në një konferencë për media.

“Nuk e di se kush është i gjallë e kush i vdekur”, ka vazhduar ai.

Prej kur ka nisur lufta më 2020, ky rajon është shkëputur nga pjesa tjetër e botës, pa qasje në telefon apo internet.

Qeveria e Etiopisë është akuzuar për vënie të bllokadës në këtë rajon, e cila ka penguar furnizimet.

Vetë Qeveria ka thënë se lufta është fajtore për mungesa furnizimesh.

Programi Botëror për Ushqim ka thënë se pothuajse gjysma e popullsisë prej 5.5 milionë banorësh në Tigray, ka nevojë të madhe për ushqim.

Kjo nuk është hera e parë që Tedros, ish-ministër i Shëndetësisë në Etiopi, ka folur për luftën.

Të mërkurën, ai ka thënë se situata është më e keqe se në Ukrainë dhe ka sugjeruar se racizmi është mbrapa mënyrës sesi u është përgjigjur bota këtyre konflikteve.

“Mund t’ju them se kriza humanitare në Tigray është më e madhe sesa në Ukrainë, pa e ekzagjeruar. E kam thënë shumë muaj më parë, ndoshta arsyeja qëndron te ngjyra e lëkurës së njerëzve në Tigray”.

Luftimet kanë nisur sërish këtë javë në këtë rajon, pas një armëpushimi të arritur në mes të forcave të Tigrayt dhe Qeverisë së Etiopisë.

Lufta ka shpërthyer më 2020, pasi kryeministri, Abiy Ahmed, ka urdhëruar dërgimin e trupave në Tigray për të rrëzuar Fronti Popullor Çlirimtar (TPLF), duke akuzuar rebelët se kanë sulmuar kampet ushtarake federale.

Ky vendim është marrë pas disa muajsh tensione mes Qeverisë dhe TPFL-së, e cila ka dominuar politikën e Etiopisë për tri dekada, derisa Abiy ka marrë pushtetin më 2019.

Si pasojë e luftimeve në shtetin e dytë më të madh të Afrikës, mijëra njerëz janë vrarë, miliona janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre dhe shumë të tjerë janë përballur me varfëri.

Top Channel